Pse Berisha vijon të sulmojë Dumanin dhe Gjokën?

Nga Simon Hadaj

Sali Berisha është paraqitur sërish në SPAK dhe ajo që po bëhet gjithnjë e më e qartë për publikun është se sulmet e tij të përsëritura ndaj Altin Dumani dhe gjyqtares së Apelit të Posaçëm Irena Gjoka, nuk lidhen më me asnjë kompetencë që këta kanë mbi çështjen e tij në gjykatë, sepse Dumani e ka çuar dosjen në gjykatë dhe nuk ka më rol në vendimmarrje, ndërsa Gjoka ka dhënë vetëm masën e sigurisë. Asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me vendimin përfundimtar që pritet të japë trupa gjykuese.

Atëherë, pse vijon t’i sulmojë Sali Berisha?

Përgjigjja është e thjeshtë: për të ndikuar vendimin përfundimtar dhe për të frikësuar trupën gjykuese që do të vendosë mbi fatin e tij. Berisha kërkon t’u dërgojë një mesazh të qartë gjyqtarëve të çështjes së tij dhe çdo prokurori tjetër që mund të guxojë të hapë çështje të reja ndaj tij.
Në daljen e sotme para mediave, Berisha e quajti Altin Dumanin “peng të Edi Ramës” dhe të bandave të Durrësit.
I njëjti diskurs është përsëritur edhe ndaj Irena Gjokës. Edhe pse ajo nuk është pjesë e trupës gjykuese që do të vendosë mbi çështjen, Berisha e ka shënjestruar vazhdimisht për të krijuar idenë e një përndjekje politike ndaj tij. Në fakt, kjo që bën Berisha është një shantazh i qartë dhe i hapur ndaj drejtësisë.

Pra, ai nuk ka më përballje me Dumanin apo Gjokën, por përdor emrin e tyre si levë frikësimi për t’u treguar të tjerëve se çfarë i pret nëse ndjekin shembullin e tyre. Është një betejë për të mbijetuar politikisht dhe ligjërisht, e cila po bëhet përmes kërcënimit ndaj një sistemi të tërë.

Kështu që, SPAK dhe gjykatat janë sot jo vetëm në provë ligjore, por edhe në një provë karakteri. A do t’i nënshtrohen presionit të një ish-kryeministri që përdor skenën politike për të mbrojtur interesat personale apo do të japin një vendim të drejtë, të bazuar në prova dhe jo në frikë?
Koha do ta tregojë, por deri më sot nuk mund të themi që kjo strategji e Berishës nuk ka arritur të funksionojë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT