Restoranti në zemër të Patokut, del për qira “Royal Blue”! Pronari është nip i “baronit të drogës”, SPAK ia kaloi për administrim shtetit

“Royal Blue” bar dhe restorant në zemër të Patokut, ka dalë për qira për të gjithë të interesuarit, për 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Ky restorant i ka kaluar në administrim shtetit dhe është i kompletuar, gati për shërbim.
“Godina ndodhet në zemër të Patokut, një ndër zonat më të frekuentuara, ku ofron ambiente moderne, të përshtatshme për shfrytëzim komercial ose turistik”, njofton Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Newsbomb.al mëson se ky biznes është në pronësi të Nerim Çelës, nipi i trafikantit të cilësuar si “baron droge”, Gëzim Çela. Grupi u godit gjatë një operacioni të quajtur “Flakët në det” dhe restoranti përdorej si strehë e përkohshme për ruajtjen e drogës.
Gjykata e Posaçme me vendimin nr.27 datë 09.10.2023 ka vendosur sekuestrimin e 11 pasurive të trafikantëve të drogës, mes tyre dhe restorantin në fjalë:
– Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen Miralda Thartori, me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673.
Miralda Thartori dhe Nerim Çela, sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezultojnë se janë aksioner me 50% të aksioneve secili në këtë biznes. Megjithatë, tashmë ai ka kaluar në administrim shtetëror dhe kushdo që është i interesuar mund të aplikojë për ta marrë me qira.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara thotë se për të aplikuar, personat e interesuar duhet të kontaktojnë institucionin për të marrë formularin e aplikimit, i cili plotësohet dhe dorëzohet fizikisht në zyrat e tyre.