VIDEO/ Shteti ia vendosi fadromat, pronarja mes lotësh: Nuk është e drejtë, i kemi ngritur me djersën e ballit

Prej mesditës të së hënës punonjësit e IKMT-së kanë zbarkuar në fshatin turistik të Thethit ku dhe kanë nisur aksionin me qëllim “çlirimin” e zonës nga ndërtimet pa leje.
Pas rrafshimit të “fshatit turistik” “Eagle Villas Theth”, aksioni është shtrirë në një vijë më të gjerë, ku siç raportuam dhe më herët pritet prishja e rreth 40 objekteve të cilat janë ngritur pa leje në këtë zonë.
Për Euronews Albania, mes lotëve ka folur dhe një prej pronareve të këtyre objekteve. Ajo e ka cilësuar këtë aksion si të padrejtë duke ritheksuar disa herë që po u vihet fadroma djersës së tyre dhe viteve të punës që kanë derdhur në atë vend.
“Nuk është e drejtë, kam rritur 6 fëmijët e mi këtu dhe dy jetimë pa nënë e pa babë këtu, me bukë e kryp. Nuk është e drejtë të na i prishin të gjithë mundimin dhe djersën e fëmijëve që kanë punuar rrugëve. Nuk është e drejtë të na bëhet kështu. Kjo është shumë e padrejtë, ne jemi në tokën tonë ka 500 vjet para-ardhësit tanë kanë qenë këtu.
Unë jam e martuar këtu. Unë kam 6 fëmijët tim këtu, kemi punuar këtu me krah me miliarda herë që të hamë bukë. Nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë të na i humbin mundimin dhe djersën e djemve tonë. Unë kam 5 djem, 5 gra, jemi 25 njerëz, ku do shkojmë, ku do jetojmë. Kur kanë ardhur këtu u kemi thënë njerëzve dhe shtetit nëse ka mundësi ne çfarë të kërkojë shteti e bëjmë. Na bëni letrat, çfarë kërkon shteti, ja u paguajmë. Paguajmë taksa, ujë , drita, turizëm gjithçka. E kemi me mundim dhe djersë këtë punë”, ka thënë ajo.