Zyrtarisht i pandehur nga SPAK, a ka përfunduar karriera politike e Erion Veliajt? Ja si përgjigjet Agron Shehaj

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka komentuar çështjen gjyqësore të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ditën e djeshme është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndërsa sot agjentët e BKH i komunikuan akuzat.
I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Shehaj u shpreh se legjitimiteti politik i Veliajt, ka përfunduar që me datë 10 Shkurt, ditën kur edhe u arrestua me urdhër të SPAK.
Duke vënë theksin në provat e dokumentuara nga SPAK, Agron Shehaj tregon se rikthimi i Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës për të ushtruar funksionin për të cilin është mandatuar, është thuajse e pamundur.
“Legjitimiteti i Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës dhe pretendimet për tu rikthyer si kryetar i bashkisë Tiranë, mbaruan që në ditën kur Veliaj u arrestua, ditën që të gjithë pamë provat që kishin prokurorët dhe nuk ka dyshim për këtë. Kjo gjë do të vazhdojë, ai ka një gjyq, ka një çështje me drejtësinë që i takon drejtësisë dhe vetë atij të dalë të mbrohet nga akuzat e prokurorisë.
Ky është një nga vendet më të korruptuara në Europë. Deri dje nuk kishim drejtësi fare, tani është bërë një reformë në drejtësi që po ndodh një ndryshim. Disa politikanë të akuzuar për korrupsion ose janë në burg, ose janë në hetim, ose i janë ngritur akuza sepse kanë vjedhur shqiptarët.
Të gjithë këta që akuzohen, thonë që janë të ndershëm. Dy janë gjërat: Ose nuk është e vërtetë që ky paska qenë një vend i korruptuar dhe politikanët kanë qenë të korruptuarit, ose prokurorët kanë qenë kaq të paaftë sa kanë ngritur akuza për ata pak të ndershmit”, tha Agron Shehaj.