Ali Ahmeti thirrje publike për protestën e 7 Gushtit, në Prishtinë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK

Politikani i lartë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka bërë thirrje publike për të marrë pjesë dhe për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në protestën e njoftuar për në datë 7 Gusht në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kundër padrejtësisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka paralajmëruar se do të organizojë një protestë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej disa vitesh.
Si një ndër veprimtarët për lirinë e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse.
“Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi. Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe “dëshmi” të servuara nga Serbia”, thotë ai.
Ali Ahmeti thekson se ai personalisht është pjesë e pandarë e luftës për liri dhe mbështet protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. “Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë”, shkruan ai.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati është shprehur se kjo protestë është thirrur për shkak të padrejtësive të Gjykatës Speciale. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.