Ardi Veliu SHKRESË administratorit të News 24: Premtuat se do e lironit vetë godinën, pritëm 48 orë! Materialet i keni te Rezervat e Shtetit

Ardi Veliu, drejtues i shoqërisë shtetërore “KAYO”, i quan të pabazuara dhe të pavërteta deklaratat e drejtuesve të televizionit News 24 se materialet e gazetarëve janë fshirë dhe tjetërsuar, duke bërë me dije se ato ndodhen në Rezervat e Shtetit.
Gjatë këtyre katër ditëve, ka pasur shqetësime dhe ankesa nga gazetarët dhe përfaqësuesit e “Focus Media Group”, se baza materiale e televizionit po largohet pa procesverbalë dhe po tjetërsohet, ndërkohë që Ardi Veliu garanton për të kundërtën.
“Lirimi i ndërtesës është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të forcave të armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj. Pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.
Sipas shkresës “Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”
Administratori duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt. Kayo sh.a i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale”, thotë deklarata.
Siç shihet dhe nga ky dokument i siguruar nga newsbomb.al, drejtues i “KAYO” zbulon se drejtuesit e televizionit kanë pranuar se do e largonin vetë bazën materiale, u është lënë afat 48 orë, por nuk e kanë mbajtur premtimin dhe ka vepruar ushtria.
Ardi Veliu garanton se çdo gjë është dokumentuar dhe inventarizuar në procesverbalët zyrtarë, dhe janë dërguar pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës.
“Ju lutem të paraqiteni pranë Rezervave të Shtetit, Ju personalisht si administrator dhe i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt”, apelon Ardi Veliu.