Dokumenti që “përgënjeshtroi” Olsian Çelën, REAGON Prokuroria e Përgjithshme: Kujtim Luli na përfaqësoi disa muaj…Nuk kemi dhënë asnjë kontribut për draftin përfundimtar

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar përsëri me qëllim sqarimin e pjesëmarrjes së këtij institucioni në grupin e punës të ngritur për hartimin e draftit për Kodin e Ri Penal. Në momentin e prezantimit të draftit në publik, kryeprokurori Olsian Çela ka deklaruar se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e ftuar si pjesëmarrës në këtë grup pune dhe se është njohur me produktin përfundimtar.
Mirëpo ditën e djeshme në media u publikua një dokument i datës 2 shkurt 2023, ku dëshmohej se prokurori Kujtim Luli është konfirmuar nga Prokuroria e Përgjithshme si përfaqësues i institucionit ku dhe ushtron veprimtarinë e tij ligjore, në grupin e krijuar për hartimin e draftit për Kodin e Ri Penal.
Në reagim, Prokuroria e Përgjithshme thekson se institucioni ka marrë ftesë nga Ministria e Drejtësisë në Janar të vitit 2023 për të marrë pjesë në fazën e diskutimeve mbi pjesën e përgjithshme të draftit të hartuar, dhe se si përfaqësues ka funksionuar prokurori Kujtim Luli.
Ky i fundit ka ushtruar detyrën e prokurorit deri në muajin Tetor 2023 dhe se prej atij momenti asnjë funksionar nuk ka përfaqësuar Prokurorinë e Përgjithshme në diskutime.
Sakaq, përgjatë harkut kohor kur Kujtim Luli ka qenë përfaqësues, procesi i diskutimeve nuk pati vijim konkret në dhënien e mendimeve në formë zyrtare nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.
Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme:
“Në vijim të interesimit tuaj në lidhje me pjesëmarrjen në grupin e punës për draftin e Kodit Penal, ashtu si dhe i është konfirmuar një medie të interesuar ditët e kaluara dhe që është bërë publike, sqarojmë sërish, në mënyrë më të detajuar, se Prokurorisë së Përgjithshme i është kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë në janar 2023 një përfaqësues, i cili ka marrë pjesë në një fazë diskutimesh mbi pjesën e përgjithshme të draftit të hartuar më parë nga grupi i ekspertëve.
Më pas, në muajin maj të vitit 2023, Sekretariati Teknik i MD ka nisur për konsultim pjesën e përgjithshme të draftit, por ky proces nuk pati vijim konkret me dhënie mendimesh në formë zyrtare nga ana jonë për kohën e shkurtër të lënë në dispozicion si dhe pasi u analizua, për arsyet që edhe u bënë publike këto ditë. Përfaqësuesi që ka marrë pjesë në fazën e konsultimeve me grupin e punës që nga muaji shkurt 2023, ka qenë në detyrë si prokuror deri në muajin tetor të vitit 2023. Që nga kjo periudhë nuk ka pasur asnjë përfaqësues apo komunikim të Prokurorisë së Përgjithshme me grupin e punës si dhe asnjë kontribut apo dakordësi zyrtare për versionin përfundimtar të draftit”.