Saimir Korreshi ndaloi punonjësit në Lushnje, Eriselda Sefa nxjerr me urgjencë urdhrin: Të pritet pema për të liruar hapësirën publike

Aksioni i një dite më parë për lirimin e hapësirave publike në Lushnjë solli reagimin e fortë të deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi.
Në lagjen “Gafurr Muço”, aty ku dhe policia bashkiake, IMT dhe policia e rendit kishin “zbarkuar”, deputeti Korreshi nuk lejoi prerjen e një peme shumë vjeçare.
“Kjo pema këtu ka 40 vjet. Zë trotuar e hapësirë publike kjo pema këtu? Këtu është hije ke qejf të rrish. Në diell do na lënë ne këta. Ku është hapësira publike që zë kjo pema? Çfarë pune të prish kjo pema këtu. Nuk është as trotuar. Eshtë turp kjo punë. Në mes të gushtit ta lësh qeros?”, u shpreh Korreshi, ndërkohë që për prerjen e kësaj peme kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa ka përpiluar me urgjencë dhe një urdhër me firmë dhe me datë.
Pas trazirave të një dite më parë, Sefa ka lëshuar një urdhër i cili mban datën 6 gusht përmes të cilit legjitimiton prerjen e pemëve në këtë qytet.
Ky urdhër është publikuar nga vetë Korreshi, i cili po ashtu i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme si dhe Policisë që të reagojnë pasi prej dy javësh janë vënë në dijeni sa i përket prerjeve të pemëve në qytet, ndërkohë që urdhri është firmosur vetëm një ditë më parë nga kryebashkiakia.
“Lufte Pemeve te mbjella nga privatet sa turp! Ne te gjithe boten Bashkite japin certifikata mirnjohjeje per qytetare qe mbjellin peme ketu tek ne ja presim. Edhe pse kemi nje ligj qe nuk lejohen prerjet e pemeve, SKANDAL!
Heqja e tendave te diellit pa leje ndertimii se bejne hije. Po kush e jep kete leje ?? Ju keni pallate pa leje ndertimi e merreni me tenda djelli ajrore.
Pra te gjitha pemet e prera para ketij urdhri jane ne shkelje te ligjit dhe per burg. Alo Pilicia, SPAKUUU ja prova. Ju kemi njoftuar para dy javeve por urdhri ka dalur vetem dje”, shkruan Korreshi.