Tha se u ngacmua seksualisht nga agjentët e BKH-së në sallën e operacionit, Avokati i Popullit nis hetimet për trajtimin e Erion Veliajt në paraburgim

Avokati i Popullit ka nisur verifikimet lidhur me denoncimet e kryebashkiakut Erion Veliaj në periudhën kur ky i fundit iu nënshtrua kryerjes së disa procedurave shëndetësore në një klinikë private.

Në një postim të disa ditëve më parë, Veliaj ka akuzuar direkt agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit për “ngacmim seksual”, pasi këta të fundit janë futur në sallën e operacionit kur kryebashkiaku ka qenë i pavetëdijshëm dhe pa rroba.

Erion Veliaj përdori termin francez “voyerism”, i cili përfshin sipas shpjegimit zyrtar “ngacmimin seksual duke parë një person të pavëmendshëm i cili është i zhveshur, lakuriq ose i angazhuar në aktivitet seksual.”

Në procesin hetimor është angazhuar dhe Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prenci, i cili ka shkuar në ambientet e paraburgimit në Durrës ku po mbahet i izoluar Veliaj, me qëllim sigurimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin dinjitoz.

“Lajmi i mirë është se kam kaluar vetting-un 21-vjeçar, të paprecedentë për asnjë politikan në Shqipëri. Shto këtu edhe voyerism-in absurd, intimidimin dhe poshtërimin nga agjentët, në sallë të operacionit, para dy javësh, për t’u siguruar që, përveç vetting-ut të jashtëm, të kaloja edhe vetting-un e brendshëm të të gjithë organeve – nga ezofagu gjer në rektum – shoqëruar nga 30 roje të policive të ndryshme, të burgut, shtetit etj.

Edhe kjo, pjesë e kësaj innuendo të qëllimshme dhe poshtëruese, ku fillimisht zgjidhet preja dhe, nëse nuk gjendet asnjë provë penale në punën e viktimës, kalohet në vetting që nga udhëtimet e moshës 25 vjeç, pa funksion politik, gjer në kolonoskopinë e 2025-ës. Dhe kur prapë nuk gjendet asgjë, i hapin dosje bashkëshortes, vëllait, nënës, vjehrrit të ndjerë, kushërinjve dhe gjithë fisit e rrethit shoqëror – të gjithë në punët e tyre private“, ka shkruar Veliaj në postimin e disa ditëve më parë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT