Violina magjike ushton harkadave të Porto Palermos, Olen Çesari befason me ndërthurjen artistike të klasikes, modernes dhe etnikes

Nga Engjëll SERJANI
Ditët dhe netët e edicionit të 5-të të Festivalit “Aty ku tingujt marrin jetë” në Porto Palermo të Himarës kanë nisur e po vazhdojnë si një udhëtim i pazakontë muzikor e historik.
Kryefjala e këtij edicioni është interpretuesi virtuoz dhe organizatori i shkëlqyer Olen Çesari, i cili ka befasuar publikun vendas dhe turistët e huaj nga kështjella trekëndore e Porto Palermos, duke sjellë gjetje e ndërthurje artistike të reja dhe surprizuese.
Ashtu siç pritej, edhe këtë vit — tashmë kur festivali po kthehet në një traditë të përvitshme — Olen Çesari solli me ngrohtësi magjinë e tingujve të violinës së tij të rrallë. Përkrah tij, ai ftoi një grup artistësh të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.
Në kalanë e hershme, dikur e preferuara e Vasiliqisë dhe Ali Pashë Tepelenës, u ngjitën në skenë disa prej këngëtarëve më të mirë të folklorit shqiptar. Krahas emrave të njohur si Ardian Trebicka, Dren Abazi, Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Marsela Çibukaj, Eda Zari e të tjerë, publiku pati rastin të dëgjonte edhe një interpretues të logatjes — një mënyrë krejt të veçantë të këndimit popullor shqiptar, të lënë disi në harresë.
Violina magjike e Çesarit dhe interpretimet e të ftuarve morën formën e një gjerdani brilant këngësh, që në brendësi të labirinteve dhe harkadave prej guri të kështjellës fituan një tjetër regjistër mistik tingujsh.
Në dy prej netëve të këtij edicioni, Olen Çesari prezantoi befasinë e radhës: përfshirjen e logatjes së Roland Çenkos në këtë aktivitet elitar.
Kjo risi u prit nga publiku si një akt kulturor i guximshëm. Në mbrëmjet e festivalit, mjeshtri i madh Roland Çenko, interpretues i logatjes monofonike, ngjiti në skenë një emocion të veçantë: në natën e parë, ai këndoi një elegji të shoqëruar nga tingujt e artë të violinës së Çesarit; ndërsa mbrëmjen pasuese, monofoni Çenko dhe këngëtarja e njohur Aurela Gaçe bashkuan zërat në disa këngë të njohura labe, duke krijuar një atmosferë që do të mbahet mend gjatë.
Përfshirja për herë të parë e logatjes në një festival modern si ky, është një zhvillim shumë domethënës. Logatja, një formë e lashtë e isopolifonisë shqiptare e përfshirë në listën e UNESCO-s, sipas disa studiuesve mund të jetë edhe më e hershme se vetë polifonia shumëzërëshe.
Përpjekja e suksesshme e violinistit të talentuar Olen Çesari për ta kthyer këtë festival në një pikëtakimi të muzikës klasike, moderne dhe etnike, duhet vlerësuar edhe si një urë historike mes të shkuarës dhe të ardhmes.
Studiuesit e etnomuzikologjisë do të bënin mirë ta shihnin këtë ngjarje si një nxitje për të studiuar dhe ruajtur këtë formë të lashtë dhe autentike të trashëgimisë kulturore shqiptare.