Zjarrfikësi me 10 pistoleta e 150 fishekë drejt Sarandës për t’i shitur, oficeri fsheh provat, Prokuroria nis hetimet dhe e pezullon nga detyra

Një oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë është marrë nën hetim nga Prokuroria e qytetit bregdetar, pasi rezulton se ka fshehur provat për dy persona të arrestuar në Shtator 2024. Bëhet fjalë për oficerin me iniciale J.P, i cili edhe është pezulluar nga detyra.

Ai dyshohet se ka fshehur provat për një ngjarje në të cilën në pranga kanë rënë zjarrfikësi Klaudio Osmani dhe shokun e tij Mehmet Canaj.

Këta shtetas janë ndaluar nga Policia teksa udhëtonin me makinë në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024 dhe me vete kishin dhjetë armë zjarri pistoleta “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumba, të cilat janë sekuestruar.

Prokuroria e Sarandës thotë se nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga këqyrja e aparatit celular të sekuestruar.

Për sa më sipër, organi i akuzës kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg”, por Gjykata e Sarandës ka vendosur të caktojë ndaj personit nën hetim, oficerit J.P, masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Rreth një vit më parë, Strukturat e Hetimit në DVP Vlorë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Mehmet Canaj, 24 vjeç, dhe Klaudio Osmani, 23 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, Përmet.

Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin M. C. dhe pasagjer shtetasin K. O. (i cili rezulton edhe i punësuar në stacionin zjarrfikës Këlcyrë), sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarak.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Sarandës:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka regjistruar procedimin penal nr. 696/2025 për veprën penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal në ngarkim të oficerit të policisë gjyqësore J.P.

Nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga kqyrja e aparatit celular të sekuestruar në kuadër të një procedimi penal me nr.592/2024 të regjistruar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal që lidhet me transportimin e dhjetë armëve “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumbave në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024.

Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 të Kodit Penal.

Gjykata vendosi të caktojë ndaj personit nën hetim masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 të K.Pr.Penale

Back to top button
LAJMET E FUNDIT