“Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”/ Ish-ministrja e Nanos, Meksi me fjalë të ndjera për ish-liderin (DEKLARATA)
Ish-ministrja e qeverisë Nano, Ermelinda Meksi, përmes një postimi në rrjete sociale ka shprehur fjalë të ndjera pas ndarjes nga jeta për ish-Kryeministrit Fatos Nano.
Ermelinda Meksi shprehet se Fatos Nano do të mbetet figura e një politikani të nderuar për vizionin e tij europian, me të cilin udhëhoqi jo vetëm Partinë Socialiste, por edhe Shqipërinë.
Ermelinda Meksi, shkruan dhe një shprehje të të ndjerit Fatos Nano, “të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”, ndërsa shton se kjo shprehje mbetet po aq e fuqishme sot sa në vitin 1997.
Postimi i plotë i Ermelinda Meksit
Lajmi i hidhur i largimit të parakohshëm të Fatos Nanos, Kryetarit historik të Partisë Socialiste dhe Kryeministër në disa qeveri me preku thelle.
Me Fatosin kam ndarë shumë beteja, sfida dhe arritje të mëdha, që nga krijimi i PS-së në qershor të vitit 1991 e deri në vitin 2005,vit kur dha dorëheqjen me dinjitet si Kryetar i PS-së pas humbjes së zgjedhjeve te atij viti.
U largua shpejt nga politika, në një kohë kur eksperienca e tij do të ishte ende shumë e vyer, jo vetëm për socialistët.
Fatos Nano do të mbetet figura e nje politikani të nderuar për vizionin e tij europian, me të cilin udhëhoqi jo vetëm Partinë Socialiste, por edhe Shqipërinë.
Thënia e tij e famshme: “Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet” mbetet po aq e fuqishme sot sa në vitin 1997.
Kujtoj me shume vleresim,respektin qe kish ndaj institucioneve, transparencën dhe kolegjialitetin në marrjen e vendimeve, si në parti ashtu edhe në qeveri aftësinë e tij për të kërkuar, por edhe dëgjuar me vëmendje sugjerimet e të tjerëve.
Qe model në promovimin e të rinjve në politikë, tolerant dhe gjitheperfshires ne vendimarrje te medha,duke dhene shembullin e njeriut qe sfidon urrejtjen dhe hakmarrjen primitive ndaj kundershtarit.
Lamtumirë i dashur Fatos!
Do të mbetesh i paharruar ne zemrat e ne socialistëve dhe jo vetëm!
Ngushëllimet më të ndjera familjes, bashkëluftëtarëve socialistë si dhe miqve të panumërt.
Pushofsh në paqe, miku ynë!