12 vite mall dhe dhimbje për Sokol Olldashin, njeriun dhe politikanin e mirë që ndërroi jetë në…

Sot, më 20 nëntor bëhen 12 vite pa Sokol Olldashin. Njeriu dhe politikani që e donin të gjithë, me ikjen e tij la pas shumë dhimbje dhe një boshllëk të madh në politikën shqiptare.
Ai u nda nga jeta në një aksident tragjik, teksa udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës mbrëmjen e 20 nëntorit 2013. Për familjarët, dhimbja e ikjes së tij është e madhe njëlloj si ditën e parë.
Sokol Olldashi ka spikatur si një prej figurave më të dalluara të Partisë Demokratike dhe ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90, si dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Karrierën e nisi si gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës “Albania”, ndërsa në vitin 2001 zgjidhet për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Katër vite më vonë, Sokol Olldashi rizgjidhet në Kuvend, me fitoren në Shijak. Pasi mori mandatin e dytë të deputetit ai u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007.
Në këtë kohë, kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.
Më pas, Sokol Olldashi ka mbajtur dhe postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike deri në shtator të 2013. Pas humbjes së Partisë Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës.
Në aspektin personal, ai ishte i martuar me Enkeleda Olldashi dhe kanë dy djem, Glaukun dhe Kleitin. Kohët e fundit, djali i madh Glauku ka filluar të aktivizohet me Partinë Demokratike, duke qenë pjesëmarrës në protesta të ndryshme, duke vendosur të ndjekë rrugën e të atit.