A bie qeveria pa dyshin? Çfarë thotë Neni 95 i Kushtetutës

Nga Migena Aleksi
Zëvendëskryeministri është një pozicion që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton veçantë si përbërje të Këshillit të Ministrave. Në nenin 95, pika 1 e Kushtetutës thuhet se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”.
Ka zëra të orëve të fundit në media që citojnë këtë nen për të thënë se qeveria nuk mund të qëndrojë në këmbë pa postin e zëvendëskryeministrit. Këta zëra shtojnë se kjo është aesyeja pse Balluku është mbyllur prej të paktën 4-5 orësh në zyrën e Ramës, ku është parë të futet edhe ish-ministri i Drejtësisë, Manja.
Interpretimi nuk është i saktë në thelb, edhe pse teksti i nenit 95/1 mund të duket sikur e mbështet atë. Kushtetuta E PËRSHKRUAN përbërjen e qeverisë, por NUK E BËN të detyrueshëm postin e zv.kryeministrit.
Kur Neni 95/1 thotë: “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”, ky është një përshkrim strukturor, jo një kërkesë detyruese për ekzistencën e postit.
Çfarë e bën qeverinë funksionale, sipas Kushtetutës? Përgjigja është e thjeshtë: Kryeministri. Ai është organi që i jep jetë juridike qeverisë. Ministrat janë të domosdoshëm për të drejtuar dikasteret. Posti i zv.kryeministrit është opsional dhe varet nga vendimi i Kryeministrit.
Kushtetuta nuk parashikon kompetenca të detyrueshme për zv.kryeministrin; apo ndonjë funksion që pengon qeverinë të vazhdojë pa të. Pra nuk ka vakum institucional nëse posti lihet bosh dhe praktika qeveritare e ka vërtetuar këtë. Ka pasur periudha ku Shqipëria nuk ka pasur zv.kryeministër për muaj të tërë ose posti ka qenë përkohësisht vakant pas dorëheqjeve apo shkarkimeve.
Në të gjitha rastet qeveria ka funksionuar normalisht. Kryeministri ushtron të gjitha kompetencat kushtetuese dhe nuk është kërkuar dekret presidential apo procedurë emergjente për zëvendësim.
DITA u konsultua me dy konstitucionalistë të njohur nëse pezullimi nga detyra i Ballukut e “rrëzon qeverinë” apo e bën të pavlefshme strukturën e Këshillit të Ministrave.
Përgjigja është JO. Edi Rama mund të propozojë një zv.kryeministër të ri ose të funksionojë pa të deri në një vendim të ri. Posti është i rëndësishëm politikisht si edhe nga pikëpamja organizative, por nuk është një shtyllë kushtetuese pa të cilën qeveria rrëzohet.