Astrit Kalaja përtej togës së zezë! E bija tregon shkodranin e rrallë, rrëfen fjalët e fundit të babait para vrasjes në krye të detyrës: Si çdo të hënë ai…

Ishte një mesditë e zakonshme tetori, derisa tri krisma në sallën e gjyqit tronditën vendin. Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në krye të detyrës nga i riu Elvis Shkambi.

Lajmi u përhap si rrufe dhe për ditë të tëra u fol për tragjedinë që i mori jetën një prej figurave të drejtësisë dhe për pasigurinë dhe rrezikun që magjistratën në vendin tonë duhet të ushtrojnë detyrën e tyre çdo ditë.

Por, kush ishte Astrit Kalaja përtej togës së zezë? Cili ishte njeriu që fshihej pas atyre vendimeve, librave dhe dosjeve që mbante përditë me vete?

Pas shumë kërkesash, familja e gjyqtarit pranoi të fliste dhe këtë e bëri për herë të parë pikërisht për gazetaren Françeska Kordalli.

“Dua që njerëzit ta njohin babain tim për atë që ishte vërtet. Jo vetëm për mënyrën si u nda nga jeta, por për mënyrën si jetoi”, tha Bjorna, vajza e tij e madhe. “Ishte njeri që të frymëzonte, të kuptonte dhe të mbështeste”, shtoi ajo.

Bjorna tregon për një baba të dashur, bashkëshort të përkushtuar dhe mik të ngushtë për këdo që kishte pranë.

“Dinte të këshillonte, të fliste me qetësi dhe të të jepte forcë. Lexonte shumë, adhuronte filozofinë, artin… Ishte i thjeshtë dhe gjithmonë kërkonte anën më të mirë të njerëzve.”, tha më tej, duke e  përshkruar si njeriun që krijonte besim me sjelljen e tij dhe që nuk i linte kurrë mënjanë parimet, as në punë dhe as në jetë.

“Integriteti ishte më i fortë se çdo frikë”.

E pyetur për rreziqet që mund të ketë përjetuar gjatë punës, Bjorna na tregoi se Astriti kurrë nuk pranoi të ndikohej dhe të bënte kompromise që mund të cënonin qetësinë e familjes së tij. Madje ajo pohoi për Neësbomb se ai lëvizte lirshëm në qytet, shpesh herë edhe me biçikletë.

Astrit Kalaja përtej togës së zezë! E bija tregon shkodranin

Astrit Kalaja

“Profesioni i gjyqtarit është një profesion i vështirë kudo në botë, besoj. Babi ishte njeri i drejtë dhe me një integritet të lartë, besonte te peshorja e drejtësisë dhe institucioni që përfaqësonte. Qetësinë e familjes e kishte shumë të shenjtë dhe prandaj nuk pranonte kompromise që mund ta vinin në rrezik atë ose familjen. Ka qenë një person që gjithmonë dilte në qytet pa e limituar veten në aktivitetet e tij. Edhe fakti që përdorte biçikletën shpesh si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë, tregonte qetësinë e shpirtit të tij për sa i përket kësaj pjese. Ashtu e mbaj mend që kur isha fëmijë”, u shpreh ajo ndër të tjera.

E ndalur te takimi i fundit me të dhe fjalët që i ati i tha para tragjedisë, Bjorna pohoi se ashtu sikurse bënte gjithmonë, të gjithë pjesëtarëve të familjes i uroi një javë të mbarë në punë dhe në shkollë.

“Na uroi një javë të mbarë pune e shkolle… si çdo të hënë.”

Ishte një fjali e zakonshme, si ato që thonë baballarët çdo mëngjes, por që atë ditë, pa e ditur askush, u bë lamtumira e fundit.

*Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 51-të të Revistës Neësbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Nëntor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT