“FBI ekspertoi predhën e plumbit të Aleks Nikës”/ Artan Hoxha: Politikanët po e zvarrisin çështjen

Gazetari Artan Hoxha, foli edhe për hetimet mbi 21 Janarin, duke theksuar se “politikanët po e zvarrisin çështjen”.
“Kjo është një histori, kjo është një ngjarje, unë dua ta quaj vijë demarkacioni, para dhe mbas 21 janarit, edhe për zhvillimet politike, shoqërore të këtij vendi. Pra, një ngjarje që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku të vetmit dëshmorë që kanë rënë në atë bulevard janë ata katër dhe që nga ajo kohë ne nuk kemi patur më një protestë të dytë. U vra edhe shpirti i protestës në këtë vend. Është një ngjarje që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka certifikuar si krim shtetëror. Pra, ti nuk ke nga shkon, krim shtetëror! Për fatin tim të mirë, unë kam qenë që në momentin e parë. Pata shansin më të madh që të kem në dorë një material ose një ngjarje që mund të përmbysë situatën dhe të përmbysë historinë. Deri momentin që unë nxora filmimet, publikimi i atyre pamjeve afër mesnatës bëri që të ndryshonte dhe varianti i ngjarjes, që deri në atë kohë thuhej që protestuesit nga u vranë nga turma dhe përgjegjësia po i lihej opozitës”, tha fillimisht Hoxha.
“Unë nuk e dija se s’më interesonte shumë nëse përgjegjësinë e kishte opozita apo qeveria. Mua më interesonte kush i vrau ata njerëz dhe nga ai moment u ndryshua situata, dolën pamjet dhe unë kam qenë pa gjumë deri në momentin kur predha që dilte nga automatiku i Agim Lluost që nxorëm ne në pamje u gjet në trupin e Ziver Veizit dhe u tha që “po, kjo predhë ka dalë nga automatiku me këtë numër serie”. Aty u binda dhe aty u qetësova sepse edhe unë kisha frikë se mos manipulonin provat e mund ta bënin siç bënë me Aleks Nikën, me predhën e Aleks Nikës, që e kanë prishur me limë, e kanë dëmtuar predhën që edhe të mos identifikohet nga çfarë armë është qitur. Nga ai moment ndryshoi historia, u fshinë serverat, u fshi DVR-ja. Mbas 12 vitesh unë rashë në gjurmë të audio-regjistrimit se kam dëgjuar shumë variante këto ditët e fundit. Flasin të gjithë, po nuk flasin njerëzit kryesorë. Ky është strumbullari nga kanë nisur çështjet. Unë e kam ndjekur historinë bashkë me familjen Nika sepse ata nuk kanë hequr dorë nga vrasja e familjarit të tyre. Çështja është gjykuar dhe është dhënë ai verdikti në të gjitha shkallët e gjyqësorit që vrasjet janë bërë nga pakujdesësia vetëm për dy nga viktimat, për Ziver Veizin dhe për Faik Myrton, dhe është thënë që Ziver Veizin e ka vrarë siç është në pamje Agim Lupo, shefi i shtabit, dhe ndërkohë komandanti i Gardës, gjenerali me pistoletën e vet Ndrea Prendi ka vrarë Faik Myrton dhe Faik Myrto nuk është vrarë te dera e Kryeministrisë, është vrarë përtej bulevardit, është vrarë tek Kryesia e Kuvendit”, shtoi Hoxha.
Sipas tij, çështja u rihap jo për një gjë të gjykuar.