Gjyqet nuk i ndahen “Vatrës”, aktivisti i përjashtuar: “Darka e Flamurit” dhe “Festivali i Librit” po organizohen nga persona pa mandat! Elmi Berisha e mban peng

Shoqata e shqiptarëve të Amerikës, “Vatra” vazhdon të jetë në procese gjyqësore për drejtimin e saj, për shkak se një pjesë e aktivistëve apo ata që pretendojnë se janë përjashtuar nga Elmi Berisha, konsiderojnë se ai nuk duhet të jetë më drejtues.

Një prej tyre është dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Agustin Mirakaj, i cili siç ka deklaruar, është përjashtuar nga “Vatra” për shkak të qëndrimeve të tij, dhe së fundmi thotë se Elmi Berisha po organizon aktivitete në emër të shoqatës në Amerikë, edhe përse është në gjyq.

“Vatra gjendet në proces gjyqësor pikërisht sepse disa persona pa mandat, pa certifikim dhe pa mbështetje institucionale vazhdojnë të përdorin emrin e saj për interesa personale, politike dhe për të krijuar imazh të rremë legjitimiteti”, shkruan ai.

Agustin Mirakaj thotë se edhe eventet e lajmëruara për Festat e Nëntorit, si “Darka e Flamurit” dhe “Festivali i librit”, nuk është miratuar nga organet legjitime të Federatës.

Në ngjarjen e parë, i ftuar është Princ Leka II, kurse në eventin për librin mes shumë autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, është edhe politikani e publicisti Ben Blushi. Sipas aktivistit, këto aktivitete synojnë të justifikojnë mungesën e ligjshmërisë.

“Princi është gjithmonë i nderuar dhe i respektuar kudo të shkojë, por emri i tij nuk duhet përdorur si mbulesë për të justifikuar mungesën e ligjshmërisë. Mendoj se ky është një tjetër shembull i qartë i asaj që po ndodh me Vatrën: institucioni mbahet peng nga individë që nuk janë ata që paraqiten.

E kam për detyrim moral ta them hapur: Nuk më shqetëson festa, as libri, as promovimi. Fakti që emri i Vatrës, një institucion 113-vjeçar, po përdoret në mënyrë të papërgjegjshme për t’i dhënë autoritet atyre që nuk e kanë, është shqetësuese”, shkruan Agustin Mirakaj.

Ndërkohë, Federata Panshqiptare Vatra vazhdon aktivitetin dhe njoftimet për të gjitha aktivitetet në SHBA, nën drejtimin e kryetarit Elmi Berisha dhe me publikimet te Gazeta Dielli, organ zyrtar i Vatrës që nisi botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909.

Back to top button