Ish ministri i Drejtësisë kundër “hetimeve popullore” pas FOTOS në Pallatin e Brigadave: SPAK po shpërndan jetën private, politika i përdor për linçim publik

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar sërish pas publikimit një dite më parë të një foto të “shkrepur” në ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila u “shit” nga opozitarët me në krye Gazment Bardhin si një takim “top sekret”.
Mes rreshtave në rrjetin e tij social “Facebook”, Manjani shkruan se është një “pionier” i ruajtjes së privatësisë dhe respektimit të procesit hetimor, duke theksuar kështu se është kundër “hetimit popullor” dhe ngritur akuza se SPAK dhe institucionet e drejtësisë janë ato që shpërndajnë informacionet.
Ish-ministri vë në dukje se nxjerrja e materialeve hetimore në publik, përfshirë të dhëna personale dhe video private, ushqen një histeri kolektive dhe shkel të drejtën themelore për privatësi.
“Me këtë standart përdhosës histeria kolektive është ushqyer me të dhëna përgjimesh për zyrtarë të ndryshëm, por edhe persona jo zyrtarë. Nga këto të dhëna të përhapura qëllimisht, histeria mban nëpër gojë vibratorët e Benit; brekët e Ajolës; palloshin e Belindës e plot romuze të tjera që njerëzit i mbajnë në jetën e tyre private për qejf të vet. (Kujtoj këtu edhe video erotike që kanë dalë nga materiale hetimore)… Nejse mbajini, fundja goja nuk është vetëm për bukë! Pfffff”, shkruan Manjani, për të cilin ky fenomen nuk ndalon vetëm tek publikimi i informacioneve tëpanevojshme, por shkon deri aty sa këto u shkojnë nëpër duar kundërshtarëve politikë, duke u ndalur kështu më tej edhe te kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmzent Bardhi, i cili shpesh herë ka publikuar materiale sensitive të cilat duhet të ishin të mbrojtura nga drejtësia.
E fundit jo më larg se pasditen e së martës ku pretendoi se kishte bërë “zbulimin e madh” kundër klanit “2B” ashtu sikurse dhe ai e quajti, në një mbledhje top sekret në një apartament te “Shkalla H”.
Por, që ashtu sikurse raportuam dhe më herët ky “takim sekret” rezultoi të ishte një informacion i pavërtetë dhe se foto ishte shkrepur në ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor e cila u mbajt para syve të së gjithë shqiptarëve dhe u publikua gjerësisht asokohe.
“Por ka edhe një fenomen tjetër po aq i poshtër dhe dhunues. Dhënia e të dhënave kundërshtarëve politikë. Gazmend Bardhi është opozitari më i “informuar” me të dhëna hetimore që duhet të ishin në ruajtje. Çuditërisht Atij iu gjenden përgjimet e Xibrakës; të dhënat e SKY ECC për metamorfozën; të dhënat e telefonit të Vis Berberit”, shkruan Manjani.
Postimi i plotë:
Dy fjalë për standartin e përdhosur të të drejtës private dhe të hetimeve popullore.
***
E kuptoj plotësisht dëshirën perverse popullore për të marrë vesh mbi jetën private të tjetrit. Kur ky tjetri është “viktimë” kjo dëshirë bëhet histerike. Histeria sigurisht nuk ka llogjikë. Psh, kur u arrestua përdhunisht Ilir Meta, kishte jo pak komentues që thonin “mirë ja bënë qenit se ai hidhej në det e në liqene”… Llogjikë e fortë, apo jo?! Ndërkohë u “legjitimua” tërheqja zvarrë krejt e panevojshme e një Presidenti Republike, në fund të fundit.
Por unë e kam problemin me nxjerrjen e të dhënave private në publik, të dhëna të cilat dalin nga hetimet zyrtare të prokurorisë. Nuk është hera e parë që e them e shkruaj këtë gjë.
Ervis Berberi, të cilin as e kam ditur që ekziston deri në ditën kur, pa mbërritur në dhomën e paraburgimit i nxorrën në publik të gjithë inventarin e shtëpisë pas kontrollit të banesës nga SPAK.
Akti i kontrollit të banesës është mjet proçedural ekstrem që autorizohet nga gjykata vetëm në rrethana specifike që lidhen me nevoja të hetimit konkret, jo kontroll si ata të gjermanëve në filmat e kinostudios.
Kontrolli i banesës, njësoj si kontrolli i mjeteve të komunikimit celularë, kompjutera etj, nuk janë akte grabitje të çdo gjëje që gjen në shtëpi dhe i mbushet mendja kontrollorit apo prokurorit se duhet marrë.
Nga këto synohen të gjenden prova që lidhen me çështjen në hetim, dhe jo çështje që mund të hetohen në të ardhmen.
Ka një seri aktesh ndërkombëtare dhe shqiptare që e normojnë këtë gjë më së miri.
Por nxjerrja në publik e këtyre të dhënave, që lidhen ose jo me hetimin, nga zyrtarë që kanë për detyrë i ti ruajnë si sytë e ballit, përveç se poshtërsi perverse është dhunim i pastër i të drejtës për jetë private.
E drejta për jetë privte është standart kushtetues e ligjor e jo shpikje imja.
Me këtë standart përdhosës histeria kolektive është ushqyer me të dhëna përgjimesh për zyrtarë të ndryshëm, por edhe persona jo zyrtarë. Nga këto të dhëna të përhapura qëllimisht, histeria mban nëpër gojë vibratorët e Benit; brekët e Ajolës; palloshin e Belindës e plot romuze të tjera që njerëzit i mbajnë në jetën e tyre private për qejf të vet. (Kujtoj këtu edhe video erotike që kanë dalë nga materiale hetimore)…
Nejse mbajini, fundja goja nuk është vetëm për bukë! Pfffff.
Por ka edhe një fenomen tjetër po aq i poshtër dhe dhunues. Dhënia e të dhënave kundërshtarëve politikë.
Gazmend Bardhi është opozitari më i “informuar” me të dhëna hetimore që duhet të ishin në ruajtje.
Çuditërisht Atij iu gjenden përgjimet e Xibrakës; të dhënat e SKY ECC për metamorfozën; të dhënat e telefonit të Vis Berberit.
Këto janë fakte publike, jo sajesa. Këto të dhëna nuk i japin viktimat, as avokatët e tyre sepse as ata nuk i kanë. Duhet të dini se në faza hetimore, ku ndodhen ato të dhëna, nuk japin asnjë provë për avokatët ata, dmth “heronjt e kalamajve”…
Por përgjigjen e pyetjes se në ç’rrethana këto të dhëna gjenden në dorën e një politikani në opozitë, një SPAK e di.
Fakt është që Gazmend Bardhi, është zëdhënës i përgjimeve që prokuroria “e pavarur” i ka siguruar për shkak të ligjit.
Të keqen e qytetarit digjital. Ai është më i sinqertë në budallëkun e vet. Kurse Gazi e di shumë mirë që kjo që bën nuk duhet bërë, aq më pak kur pastaj zëdhënien e bën dhe me fakte të rreme, që të lajë përgjegjësitë e veta për dështimet në politikë.
Tani nëse këto devijime i quani gjë të mirë, unë nuk kam e as kam për të qenë ndonjëherë dakord. Edhe sikur 4 milion shqiptarë ta pëlqejnë këtë pisllëk, nuk do jem dakord me asnjërin prej tyre.
Ky quhet mendim në mbrojtje të një standarti dhe jo mbrojtje personash.