“Jemi të përgatitur”, Altin Dumani bën deklaratën e fortë: Kemi marrë kërcënime nga politika dhe krimi

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave, kreu i SPAK Altin Dumani ka folur në lidhje me vështirësitë që has institucioni që ai drejton.
Dumani tha se shpesh herë, prokurorët e SPAK kanë presione dhe kërcënime nga politika, media dhe nga krimi i organizuar.
Por kreu i SPAK theksoi se prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato.
“Vështirësitë kanë qenë të shtumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendjeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara.
Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar.
Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar” tha Dumani.