Joni Keta në krye të BKH-së “ndez” debat në studio, analisti: Nuk është OPGJ; Gazetari e sfidon dhe i tregon ligjin

Propozimi i Joni Ketës nga Komisioni i Posaçëm në SPAK si drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte objekt diskutimi në panelin e emisionit “Top Story”, drejtuar nga Grida Duma. Arjan Curri vlerësoi me superlativa Ketën, ndërsa u ndal te statusi që kanë hetuesit e këtij institucioni në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai theksoi se ata nuk janë të njëjtë sikurse oficerët e policisë gjyqësore në prokuroritë e tjera të vendit, por janë hetues si FBI-ja amerikane. “Unë besoj se hetuesit e BKH-së janë njësoj si ata të FBI-së. Ata mund të nisin çështje kryesisht dhe t’i shkojnë deri në fund vetë”.
Në këtë moment ndërhyri Elton Qyno i cili e mohoi një gjë të tillë duke treguar se edhe nëse çështjet nisen kryesisht, aktet i dorëzohen prokurorit dhe është ai që e vlerëson nëse duhet nisur një hetim penal ose jo. Dhe sa i përket statusit të tyre, gazetari u shpreh se janë njësoj si oficerët e policisë gjyqësore të prokurorive.
“Ata, edhe nëse nisin një çështje kryesisht, janë të detyruar t’ia dorëzojnë aktet prokurorit. Është ai që vendos nëse një hetim penal nis ose jo. Statusi i tyre është i përcaktuar qartë: Janë hetues të policisë gjyqësore në Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha gazetari i njohur i kronikës.