Karamuço: Situatë alarmante, kemi shumë xhami të paregjistruara! Çfarë plani kishin terroristët në Orosh?!

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ishte i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ku komentoi ngjarjen e një dite më parë në fshatin Orosh, ku Julian Cumraku dhe Erzen Uka qëndruan për 12 orë të ngujuar në një banesë të vjetër dhe kërcënonin RENEA-n se do të qëllonin me armë. Karamuço u shpreh se kemi të bëjmë me dy terroristë dhe celula u godit në hapat e parë të krijimit të saj.
Eksperti i kriminalistikës shtoi më tej se janë dy profile tipike që nuk kanë frikë të përballen me policinë dhe antiterorrin ndërsa theksoi se në vendin tonë janë një numër i konsiderueshëm xhamish të paregjistruara në Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Sakaq, Karamuço u shpreh se nuk dihet as nuk i ka ndërtuar dhe se nga ka ardhur burimi i parave ndërsa shtoi se duhet të kryhen hetime.
“Shfrytëzohet injoranca për tu futur në të tilla cikle. Elementi frikë shumëzohet me zero në këtë rast, nuk kanë frikë të përballen as me policinë dhe me asgjë. Janë gati për të kryer akt terrorist. Profile tipike.
Kemi një alarm që kemi xhami të paregjistruara në KMSH. Një numër i konsiderueshëm xhamish ku nuk dimë çfarë predikohet, kush është imami, kush ka financuar. Shikohet burimi ku është celula nga financimi.
Këto janë alarmet kryesore, shpëlarja e trurit, financimi dhe terreni, tek këto llojë njerëzisht që janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë në emër të ideologjive të tyre të mbrapshta që s’kanë të bëjnë me besimin mysliman.
Në vendngjarje janë 4 automatikë, janë kapur 2 persona. Janë armë që nga 1997. Modele të vjetra, prodhime të vendit. Nuk kemi të bëjmë me bashkëpunim rajonal përshembull. I kemi pasur këto armatime, i shikoj nga modelet.
A i kishin vetëm për vete këto armë këta, apo prisnin persona të tjerë. A mund të trajnoheshin për eksplozivët? Janë gjetur përcjellës, çfarë do bënin, kush ishte plani. Në kuadër të përgjegjësisë penale, njëri prej tyre a ka përgjegjësi penale për të folur. Do ekspertim psikiatriko-ligjor. Me prova indirekte, me ato që janë gjetur, arrin ta konsolidosh dhe të ngresh akuzë për vepra të rënda penale, qoftë dhe për përgatitje të veprave terroriste.”-tha Karamuço.