Mbetën jetimë pas vdekjes së nënës, Bashkia Delvinë ndihmon dy vëllezërit që jetonin në kushte mizerabël, i rregullojnë banesën dhe u caktojnë një kujdestare

Vetëm një ditë pasi u publikua historia tronditëse e dy vëllezërve Çako, Spiros dhe Thomas, punonjësit e Bashkisë Delvinë kanë shkuar në banesën e tyre për t’u ardhur në ndihmë.

Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe të Shërbimit Social Delvinë kanë pastruar banesën e tyre, dezinfektuar dhe sistemuar, e cila ndodhej në kushte të rënda.

Në banesë u vendosën krevate, dyshekë, dollapë dhe pajisje të tjera bazë, ndërsa nga bashkia është konfirmuar se kanë nisur procedurat për punësimin e një kujdestareje që do të kujdeset për ta në mënyrë të vazhdueshme.

Ngjarja e tyre, Spiro dhe Thoma Çako, 32 dhe 40 vjeç u bë i njohur për publikun dy ditë më parë. Dy vëllezërit me probleme shëndetësore, jetojnë të vetmuar dhe të braktisur, pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre.

Shtëpia ku banonin ishte jashtë çdo standarti. Çatia e banesës së tyre pikonte, duke lagur edhe shtretërit ku ata flinin. Pa ujë të ngrohtë, pa ushqim të rregullt, pa kushte higjienike dhe pa asnjë njeri që të kujdesej për ta, dy vëllezërit Çako jetonin në kushte të tmerrshme.

“Këta janë të dy jetim dhe të sëmurë, janë me raport mjekësor. Pas vdekjes së nënës kanë mbetur vetëm, ku do shkojnë?! Natën tremben nga frika… Nuk dinë t’i shpenzojnë paratë dhe mbeten pa ushqyer. Ne kërkojmë t’i ndihmojë shteti! Bashkia duhet t’u caktojë një kujdestar“, tha një fqinj.

Back to top button