Mbyllet gara për “FBI” shqiptare, prokurorët e SPAK propozojnë Joni Ketën për drejtues të Byrosë Kombëtare

Zëvendësdrejtuesi dhe drejtuesi i komanduar i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta është propozuar nga treshja e prokurorëve të SPAK për të marrë drejtimin e “FBI-së” shqiptare. Gara 4 mujore është mbyllur dhe më datë 11 Dhjetor ai do të votohet.

Altin Dumani si kreu i Komisionit të Vlerësimit dhe dy anëtarët Arben Kraja e Behar Dibra, kanë rënë dakord që Joni Keta të jetë kandidati i propozuar zyrtarisht në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të marrë drejtimin e BKH-së.

Zgjedhja është caktuar të mbahet më datë 11 Dhjetor dhe aty pritet të shihet nëse ai do të marrë votat e nevojshme nga anëtarët e qeverisë së prokurorëve, për detyrën, që gjithsesi e ka bërë për disa muaj si i komanduar.

Kush është Joni Keta

Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta garon për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar.

Mbyllet gara për

Prokurori Hysen Keta në vetting/ © LSA Photo

Newsbomb.al mëson gjithashtu, se ai është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili për pesë vite ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit.

Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ai ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit, në Prokurorinë e Tiranës.

Në vitin 2017, Keta u komandua drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2022, kur u komanduar si Këshilltar i Etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar. Hysen Keta u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut por arriti t’i provonte KPA-së se duhet të kthehej në detyrë dhe ashtu ndodhi. Vendimi i parë u prish.

Nga ana e babait, Joni Keta është dhe nipi i Myslym Ketës, i cili për kontributin e tij të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Myslym Keta, babai i prokurorit Hysen Keta, ka pasur gradën “Kolonel” dhe ka dhënë një kontribut të veçantë në themelimin e Armatës së tankeve.

Mbyllet gara për

Myslym Keta, atentatori më i madh i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri

Bëmat e tij, të treguara nga shokët e luftës goja-gojës u shndërruan në “legjenda urbane” në Tiranë, ndërsa vdekja në një aksident automobilistik në vitin 1966 u vesh nga një hije dyshimi. Mbase thjesht për faktin se njeriu që lodronte mes plumbash, me famën e merituar si atentatori më efikas dhe më i frikshëm i njësiteve guerrile të Tiranës, mesa duket ishte “i pavdekshëm”.

Nofkën mes vërsnikëve e kishte Tata, por pseudonimin kuptimplotë të luftës ja vunë Drapri. Lindi në vitin 1925 në Tiranë, fillimisht ndoqi Shkollën e Teknike (sot Harri Fulz), dhe më pas Gjimnazin e Tiranës.

Por që në moshën 14 vjeçare e “mblodhi mendjen” të angazhohej kundër pushtuesve italianë, ndërsa atentatet e tij u bënë me nam pa i kaluar të 17-at. I ndihmuar, padyshim, edhe nga pamja fëminore që infiltrohej pa i rënë kujt në sy, Myslym Ketës i numërohen mbi 60 atentate të suksesshme ndaj fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Mbyllet gara për

Profesoresha Majlinda Keta

Gjithashtu, redaksia e newsbomb.al mëson se Joni Keta është edhe djali i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, e cila aktualisht shërben si lektore pranë Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Tiranës.

Ajo njihet publikisht si aktiviste e të majtës shqiptare (vitet e fundit mban një profil të ulët publik) dhe ish-anëtare e Asamblesë së Partisë Socialiste. Mirëpo, pas mandatit të parë qeverisës të Edi Ramës, Majlinda Keta u rreshtua publikisht në anën e kritikëve të pushtetit, duke e ndarë Partinë Socialiste nga Rilindja.

Karriera vetëm në rritje e Joni Ketës nuk mund të ishte krejt rastësore. Ai është veç të tjerash nipi i Bahri Shaqirit, ish-drejtuesit më jetëgjatë të Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili ka shërbyer dhe si zëvendësministër në qeverinë “Rama 1”, si dhe Këshilltar i Presidentit të Republikës.

Mbyllet gara për

Ish-kreu i SHISH, Bahri Shaqiri

Sakaq, edhe stërgjyshi i tij që mbante emrin që e ka ngjallur sot daja, Bahri Shaqiri i parë, ka spikatur si veprimtar në organizimin e Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri e Kosovë dhe Luftën Nacional Çlirimtare, përcjell newsbomb.al.

Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta ishin kandidatët e kualifikuar në garën për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më herët, gjashtë kandidatë të tjerë u skualifikuan.

© Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT