Pamje të turpshme: Bregu i Velipojës mbushet me tonelata mbeturina, natyra u kthen shkodranëve atë që i dhanë

Aktivisti shkodran Mirsad Basha ka publikuar disa pamje nga bregu i Velipojës, të cilat tregojnë një situatë të turpshme, gati katastrofike, ku tonelata mbeturina kanë përfunduar në zonën e plazhit pas reshjeve intensive që vazhduan për disa ditë me radhë.

“Kjo katastrofë mjedisore që po përjetojmë ne bregun e Velipojës është një kujtesë e fortë se Natyra gjithmonë na kthen atë që i japim”, shkruan ai. Dhe pamjet janë as më pak dhe as më shumë një përgjigje e natyrës që shkodranët dhe banorët e tjerë të zonave në veri i kanë dhënë për vite me radhë.

Reshjet intensive që kanë përfshirë veriun, ashtu si dhe pjesa tjetër e vendit, kanë bërë që shtrati i lumenjve të fryhet dhe të marrë përpara gjithçka, duke përfshirë edhe mbeturinat e pafundme që banorët kanë hedhur pranë rrjedhës së lumenjve.

Shkarkimi i tyre në det, ka nxjerr në pah një katastrofë të vërtetë mjedisore, e cila është shpërfaqur përpara syve të të gjithëve në bregun e bukur të Velipojës.

Shishe plastike, qelq, mbeturina, qese plastike janë përhapur në një vijë të gjatë të bregut të detit, ndoshta me kilometra. Aktivisti Mirsad Basha, i njohur për nismat e bukura mjedisore që ndërmerr herë pas here, njofton se së shpejti do të nisë një aksion i madh pastrimi.

“Këto ditë që vijnë, po përgatitemi për një aksion të madh pastrimi, sepse kjo tokë është e jona dhe përgjegjësia për ta mbrojtur është e përbashkët. Aksioni i madh me datë 10 Dhjetor. Ju ftojmë të na bashkoheni në terren ose të kontribuoni për të siguruar mjetet, autobusat dhe mbështetjen e nevojshme për këtë aksion”, shkruan ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT