Po specializohej për të luftuar krimin, kolegët ia vunë prangat Igli Haxhiajt te Akademia e Policisë, akuzohet se ka dekonspiruar operacionet (DETAJE)

Të tjera detaje kanë dalë lidhur me arrestimin e oficerit të antiterrorist, Igli Haxhiaj, i cili ra në prangat e kolegëve në kuadër të një operacioni të koordinuar mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve italiane.
Burime për mediat bëjnë me dije se masa e sigurisë ndaj tij u ekzekutua në ambientet e Akademisë së Policisë, aty ku Haxhiaj ndodhej i angazhuar në një kurs tre mujor për specializim për çështjet të Antiterrorit.
Operacioni është zbatuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa arrestimi ka surprizuar kolegët e tij, pasi oficerit iu vendosën prangat pikërisht gjatë orëve të trajnimit.
Sipas të dhënave hetimore, Igli Haxhiaj akuzohet për disa vepra penale, ndër to nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Dyshohet se veprimet e pretenduara janë konsumuar gjatë kohës kur ai shërbente si pjesë e Forcave Operacionale, një strukturë ku ai ka qenë i angazhuar para se të transferohej në sektorin e Antiterrorit.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, ndërsa priten të tjera zhvillime në ditët në vijim, për të zbuluar shkallën e përfshirjes së oficerit në aktivitetet e dyshuara kriminale.