Rafting në rrjedhën e trazuar të Osumit, Federata e alarmuar: Ata djem janë të patrajnuar, rreziku në nivelin 6, po bëjnë vetëvrasje! Policia t’i ndalojë menjëherë

Federata Shqiptare e Rafting ka reaguar e alarmuar për ato që i quan veprime të papërgjegjshme të disa individëve që po kryejnë rafting në lumin Osum, në një kohë kur Shqipëria po kalon një moment të vështirë për shkak të përmbytjeve.

Presidenti Zamo Spathara dënon ashpër këto sjellje të rrezikshme dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit të ndërhyjë menjëherë për t’i ndaluar të rinjtë, sepse sipas tij vetëm për të dhuruar pak spektakël online, ata po shkojnë drejt vetëvrasjes.

“Këta persona jo vetëm që rrezikojnë jetën e tyre, por edhe krijojnë situata që mund të ngarkojnë më tej strukturat e emergjencave dhe të prishin imazhin e punës shumëvjeçare të komunitetit të rafting në vend.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar këta individë dhe për të marrë masat përkatëse ligjore, përfshirë edhe sekuestrimin e mjeteve lundruese të përdorura në mënyrë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”, thotë reagimi, përcjell newsbomb.al.

Rafting në rrjedhën e trazuar të Osumit, Federata e alarmuar: Ata

Te rinjte duke bere rafting ne Osum, ne kohen e permbytjeve

Federata Shqiptare e Rafting distancohet plotësisht nga këto veprime dhe thekson se ato nuk kanë asnjë lidhje me standardet profesionale të sportit të rafting në Shqipëri. Në këtë situatë të vështirë për vendin, Federata është në gatishmëri të plotë për të ndihmuar me:

• bazën materiale në dispozicion,

• instruktorët profesionistë të trajnuar dhe të certifikuar,

• çdo mbështetje teknike që mund të kërkohet nga strukturat e shtetit në zonat e prekura nga përmbytjet.

Në mbarë territorin e Shqipërisë këto ditë kanë rënë reshje të dendura shiu dhe nivelet e lumenjve janë rritur jashtëzakonisht. Në disiplinën e rafting, vështirësia e lumenjve kategorizohet nga niveli 1 (më i lehti) në nivelin 6 (më i rrezikshmi).

Aktualisht, si Osumi edhe Vjosa – lumenjtë që ne i monitorojmë çdo ditë janë në nivelin 5-6, çka i bën jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Rafting në rrjedhën e trazuar të Osumit, Federata e alarmuar: Ata

Te rinjte duke bere rafting ne Osum, ne kohen e permbytjeve

Në nivelin 6, rafting kryhet vetëm nga instruktorë profesionistë, të trajnuar dhe të certifikuar, sepse rreziku i mbytjes shkon deri në 60%. Edhe profesionistët hyjnë me përgjegjësi të lartë, ndërsa për amatorët është praktikisht vetëvrasje.

“Unë jam bërë shumë i shqetësuar për një grup djemsh nga Skrapari dhe Berati, të cilët këtë vit kanë dalë disa herë për të bërë video për TikTok. Ata janë plotësisht të patrajnuar, nuk ndjekin asnjë protokoll sigurie dhe hyjnë në lumenj në kushte ekstreme, vetëm për pak spektakël online”, shkruan Zamo Spathara.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT