Urime për shqiptarët nga përtej oqeanit, Marco Rubio për Pavarësinë: Jemi të fortë së bashku, mezi pres të zgjerojmë bashkëpunimin tonë

Një mesazh urimi për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë ditë të shënuar ka ardhur dhe nga përtej oqeanit. Nga Shtëpia e Bardhë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka uruar popullin shqiptar, teksa ka vlerësuar partneritetin e fortë me vendin tonë.
Përmes një deklarate zyrtare Rubio theksoi se lidhjet SHBA–Shqipëri janë ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për siguri dhe prosperitet. Ai nënvizoi rëndësinë e aleancës në kuadër të NATO-s, duke e cilësuar atë si themelin e mbrojtjes së përbashkët.
Sekretari amerikan përmendi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë në fushën e zbatimit të ligjit, i cili sipas tij kontribuon në rritjen e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve përballë kërcënimeve nga grupet kriminale transnacionale dhe kartelet e trafikut të drogës.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to
Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike”, shkruan Rubio, teksa e ka përmbyllur mesazhin e tij me dëshirën për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe forcimin e miqësisë mes dy vendeve.