Akuzoi Salianjin për “pazare” me Benet Becin dhe kriminelët, DEL FOTO kur Sali Berisha përuronte rrugët me kryebashkiakun e Shkodrës

Në rrjetet sociale është bërë virale një foto e disa viteve më parë, ku Sali Berisha shfaqet në përurime rrugësh krah Benet Becit, sot kryebashkiak i Shkodrës. Në atë kohë, Beci mbante postin e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i emëruar pikërisht gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Publikimi i fotos vjen në mes të përplasjeve të forta brenda PD, pas takimit që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi mbrëmjen e djeshme me demokratët në Shkodër. Takimi u shoqërua me pjesëmarrje të lartë, ndërsa në të njëjtën orë Sali Berisha organizonte një foltore në Korçë.
Berisha akuzoi Salianjin se takimi në Shkodër ishte organizuar në bashkëpunim me Benet Becin dhe me mbështetjen e elementëve kriminalë. Në këtë kuadër, anëtarëve të PD Shkodër u është dërguar edhe një SMS, ku u kërkohej të distancoheshin nga aktiviteti, duke e cilësuar atë si një takim me “agjendë private” që i shërben interesave të Edi Ramës.
Nga Shkodra, Salianji iu përgjigj akuzave duke theksuar se vetë Berisha ka bashkëpunuar më herët me Benet Becin, duke e vendosur në krye të disa institucioneve të rëndësishme. Përplasjet mes palëve janë shtuar pas takimit të Salianjit në Elbasan, për të cilin Berisha e ka akuzuar se u organizua me mbështetjen e krimit të organizuar.