Bahamasi njohu shtetin e Kosovës, reagon presidenti Begaj: Një kontribut për paqen! Albin Kurti: Vendit i shtohen miqësi të reja

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në X, për njohjen e shtetit të Kososvës nga ana e Bahamasit. 

Begaj shprehu mirënjohjen për këtë shtet, duke shtuar se është një kontribut për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë. 

Statusi i Begaj: 

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Bahamasit për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë. 

Njohja nga Bahamasi, reagon Kurti: Kosovës po i shtohen miqësi të reja 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me njohjen e Kosovës nga Bahamasi. Kurti shkruan se viti 2025 ishte viti i njohjeve të reja dhe se deri më tani 4 shtete e kanë njohur Kosovën gjatë këtij viti. 

Sipas tij Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe mundësitë e bashkëpunimit. 

“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran. 

Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. 

Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, shkruan Kurti. 

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT