Bardhi “u lut” të mos ishte e vërtetë, Berisha i shpalli sot “luftë”! Kafja e Salianjit që përçau kampin blu, deklaratat e demokratëve dhe lëvizja e ish-deputetit

Ditë aspak të lehta kanë qenë këto në kampin blu! “Kafja” e një jave më parë e Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe disa prej figurave më të votuara të Partisë Demokratike, riktheu dhe një herë vëmendjen te lëvizjet e brendshme në selinë blu dhe se çfarë po ndodh me këtë forcë politike.

Takimi, i cili fillimisht u tha nëpër media se ishte një bashkëbisedim mes demokratësh, u zhvillua me dyer të mbyllura, gjë e cila nxiti menjëherë spekulimet se brenda Partisë Demokratike po “formohet” një grupim i ri i cili do të kërkojë një lëvizje brenda strukturave.

I pari që u “detyrua” të komentonte këtë takim mes demokratëve ka qenë Gazment Bardhi, i cili mbrëmjen e së enjtes të kaluar, në studion e “Opinion”, u shpreh se situata po kthehej në lajm pa asnjë arsye të fortë.

Duke u përpjekur të sfumonte qëllimin e vërtetë të kësaj “kafeje”, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh se këtë takim të kolegut të tij me demokratët dëshiron që ta shohë në këtë mënyrë, pasi në këtë kundërtën do të ishte një gabim i madh!

“Unë kështu e shoh, kështu dua ta shoh. Nëse do të ishte ndryshe, do të ishte një gabim i madh”, tha ai, ndërkohë që prej asaj dite edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është përpjekur që të mos e komentojë gjerësisht dhe të qëndrojë indiferent në publik, ndërkohë që brenda selisë gjithçka ka qenë duke “zierë”.

Pas kësaj “kafe”, vetë ish-deputeti Salianji njoftoi takimin e parë me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, takim i cili u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës. Krah Salianjit, qëndronte Ilir Alimehmeti si dhe dhjetëra figura të dashura për elektoratin blu.

Ky takim, i cili vlen të theksohet që grumbulloi më tepër njerëz se tre të hënat radhazi të “Foltores” së Berishës para Kryeministrisë, “nxehu gjakrat” në kampin blu.  Ish-kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e komentoi takimin e Salianjit duke treguar më në fund që “kafja” e së enjtes të kaluar nuk paska qenë thjesht një takim mes demokratësh!

Sa i përket takimit të një nate më parë, Berisha e cilësoi si një aktivitet me motive personale. Ai shtoi se bëhet fjalë për “një anëtar kryesie me axhendë personale… i kooptuar në kryesi, që në asnjë mbledhje nuk ka shtruar këto probleme”.

Edhe brenda demokratëve reagimet ishin të ndryshme. Tritan Shehu zgjodhi të mos komentoje: “Nuk e kam për zakon të ndërhyj në zgjedhjet personale të askujt.”

I pyetur nëse do t’i bashkohej takimit të radhës së Salianjit në Lushnjë, Saimir Korreshi u shpreh: “Unë takoj çdo demokrat… kam pirë 100 herë kafe me Ervinin, po pi dhe një.”

Deputeti Xhelal Mziu nuk përjashtoi faktin për t’iu bashkuar takimit të Salianjit, në një kohë ku sipas tij qëllimi i tyre është rrëzimi i qeverisë Rama.

“Çdo demokrat është i mirëpritur kudo dhe është një armë më shumë kundër kësaj qeverie.”, tha ai.

Jozefina Topalli vuri theksin tek nevojat e qytetarëve: “Ka gjëra më të rëndësishme për qytetarët se interesin që kanë të tjerët.”

Ndërsa Jorida Tabaku theksoi se fokusi duhet të mbetet tek kundërshtari politik: “Këtu është beteja me kundërshtarin. Të përballemi me kundërshtarin, partinë e lëmë te partia.”

Ky debat i brendshëm vjen në një moment tensioni në PD, ndërsa takimet e Salianjit po ngjallin diskutime mbi dinamikat dhe lëvizjet e reja brenda partisë.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës sot për mediat:

Berisha: Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore. Ju lutem korrigjojeni. Po, është një anëtar kryesie, i cili ka një axhendë personale, i uroj ta vazhdojë sa të ketë qejf. Është një anëtar kryesie, i cili është i kooptuar në kryesi, i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme, i cili ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizën dhe të gjitha. Do të ketë axhendë personale, ta vazhdojë gjer në fund. Se çfarë ishte salla, atë e di unë. I përgëzoj strukturat e Durrësit që nuk u mashtruan nga një takim me axhendë strikt private.

Gazetarët: Ju e quani mashtrim këtë që po bën Salianji?

Berisha: Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet, nuk ka mashtrim më të madh se para jush dhe të gjithë shqiptarëve, këto katër vite militanti demokrat ka votuar sa kurrë në ekzistencën e tij. Dhe vota është mënyra më e mirë e dëgjimit. Pra, të zgjedhësh një axhendë personale, është një zgjedhje, të cilën unë nuk kam asnjë kundërshtim. Ai po ndjek një axhendë personale dhe kaq. Të vazhdojë me axhendën e tij personale.

Gazetarët: I sfiduar ndiheni?

Berisha: Mos e pyet. Ai po ndjek një agjendë personale, dhe kaq. Të vazhdojë me agjendën e tij. Edhe njëherë i përgëzoj anëtarët dhe demokratët e Durrësit, të cilët e braktisën, i përgëzoj. Aty ishin një grup të pakënaqurish që nuk u futën në listat për deputetë, kishte të tjerë që punuan për PS, ç’është e vërteta dhe që kanë frikë analizën që do bëhet se do u dalë. Do jetë analiza. Absolutisht jo, nuk janë ngritur këto akuza fare. Prandaj duhet analiza në parti.

Se ata që i kanë tradhtuar militantët dhe punuan për Ani Dyrmishët dhe të tjerët, sigurisht do japin hesap para strukturave. Ata të cilët morën udhëtime turistike gjatë fushatës… po paralajmëroj llogaridhënie. Ata të cilët zgjodhën turizëm në mes të fushatës, ata sigurisht bashkohen se kanë qëllimet e tyre. Edhe njëherë i përgëzoj demokratët e Durrësit dhe i garantoj se do ketë një llogaridhënie të plotë nga të gjitha strukturat, të gjithë drejtuesit.

Thashë edhe njëherë, axhenda private, disa prej tyre që i njoha, pashë individë që kanë punuar për Ami Dyrmishët, pashë të tjerë që ia kanë mbathur në mes të fushatës për turizëm në mënyrë të dokumentuar. Tani këta nuk mund të më impresionojnë mua. Tani, unë e kuptoj që doni ushqim për studio në mënyrë që të mbuloni skandalet e tmerrshme të qeverisë, por e vërteta është se zoti Salianji të vazhdojë axhendën e tij personale. Ai është i ngarkuar, ka një zonë, ku duhet të bëjë analizën, ka marrë pjesë në analizë në atë zonë, është anëtar kryesie.

Ai ka të drejtë të shtrojë çdo gjë në kryesi dhe çdo gjë në zonën ku është caktuar. Ato nuk kanë rëndësi fare. Zgjedhja është thelbi i lirisë. Ai ka bërë atë zgjedhje, e gëzoftë zgjedhjen.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT