Dallgë betoni në Farkë

Nga Johana Lubonja

Midis estetikës halucinante dhe zhdukjes së tokës bujqësore, ndërtimet e reja në kodrat e Tiranës shpërfaqin krizën e thellë të ekuilibrit urban dhe prioritetit ekonomik.

Kjo fotografi që po qarkullon në rrjet tregon ndërtesa shumëngjyrëshe në formën e një dallge që zgjatet mbi kodrat e Farkës. Për dikë mund të jetë një imazh urbanistik. Në të vërtetë është metafora e një krize urbane, por edhe ekonomike. Kjo “dallgë betoni” nuk është vetëm sfidë për shijen, por për vetë idenë se çfarë është zhvillimi dhe çfarë duhet të jetë një qytet.

Ndërtime të tilla masive, me kurba gjoja artistike, ngjyra joshëse dhe ndriçim dekorativ duken si konvikte për fjetje, jo si hapësirë për jetesë të denjë.

Ky lloj urbanizimi  vjen nga bashkimi i mungesës së vizionit shtetëror, babëzisë së investitorëve dhe atyre qytetarëve që vazhdojnë i blejnë (madje shtrenjtë) shëmti të tilla. Këto ndërtime nuk përfaqësojnë as zhvillim të qëndrueshëm, as ndonjë strategji arkitektonike me ndikim pozitiv.

Por problemi nuk është vetëm estetik. Ato po përhapen në një zonë që për dekada ka qenë gjelbërim, prodhim dhe hapësirë frymëmarrjeje për Tiranën. Siç ve në dukje me të drejtë deputeti E.Braçe këto janë produkt i një modeli ekonomik që përjashton edhe bujqësinë duke shkatërruar ekosistemet lokale.

A ka ende kuptim të flasim për planifikim urban, kur ndërtime të tilla lejohen në masë, ndërkohë që prodhimi bujqësor, që mund të ushqente rajonin dhe të sillte të ardhura afatgjata, po zëvendësohet nga fasada e radhës?

Duhet një kthesë radikale në prioritetet e zhvillimit shqiptar: tokat bujqësore të mos shihen si pasuri për ndërtim, por si baza për siguri ushqimore dhe ekonomi afatgjatë.

Ndërkohë, arkitektura duhet të kthehet në shërbim të njeriut dhe natyrës, jo të estetikës Instagram-i dhe rritjes së çmimeve për metër katror. Përndryshe, kjo dallgë betoni do na përpijë të gjithëve, pa lënë pas as tokë për të mbjellë, as ajër për të marrë frymë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT