Demokratët tradhtojnë Endrit Shabanin, tërheqin firmat në minutën e fundit dhe i djegin ëndrrën për t’u bërë Avokat i Popullit

Politikani Endrit Shabani nuk ka më mbështetjen e deputetëve për të shkuar në Kuvendin e Shqipërisë, si kandidat për postin e Avokatit të Popullit. Demokratët e kanë tradhtuar në minutën e fundit dhe i kanë tërhequr firmat.

Ai kishte siguruar mbështetjen e 28 deputetëve për t’u klasifikuar në garën për Avokat të Popullit, pasi socialistët u tërhoqën dhe vendosën që propozimin për zëvendësuesin e Erinda Ballancës ta kishte opozita.

Burimet i thanë Top Channel se gjatë ditës së sotme, teksa po bëhen negociatat me Partinë Socialiste, deputetët e PD-së që kishin firmosur për Shabanin, i kanë tërhequr firmat e tyre, duke ia bërë atij të pamundur të shkojë deri në fazën finale të këtij procesi, atë të votimit në Parlament.

Endrit Shabani ka qenë një nga emrat më të pranuar për socialistët nga lista me 7 kandidatë që erdhi nga selia blu dhe kjo duket se ka bërë që demokratët të bëjnë një hap pas.

I pyetur në konferencën e sotme për shtyp nëse do të mbështetet kandidatura e Shabanit, lideri demokrat Sali Berisha nuk ia përmendi emrin, por la të kuptohet se demokratët kanë kandidatët e tyre në këtë proces.

Një prej emrave që Berisha e ka përmendur shpesh është ai i kryetarit të shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni.

Endrit Shabani, në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pjesë e koalicionit me Adriatik Lapaj, ndërkohë që në diskursin publik ka kërkuar tërheqjen nga politika të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, duke kërkuar që stafeta t’i kalojë rinisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT