Dhuna në shkolla, këmbanë alarmi

Nga ARTUR AJAZI

Merren të gjithë me Saliun, SPAK-un, GJKKO, Kushtetuesen, KLP, GJL, dhe me lloj-lloj gjërash të tjera, duke harruar se e ardhmja e këtij vendi është në rrezik. Shkollat po nxjerrin dhe kultivojnë të rinj të dhunshëm. Të rinj që në vend të librit kanë thikat në çanta, në vend të stilolapsit kanë cigaret, në vend të studimit shkojnë në lokale dhe bilardo ku luajnë edhe bixhoz, që në vend të edukates kanë mungesën e artikulimit, dhe në vend të kulturës, kanë fjalorin më banal që ekziston.

Dhe të tillë nuk janë vetëm djemtë, por edhe vajzat. Në 3 vitet e fundit janë vrarë 5 djem nënash në oborret dhe ambiantet jashtëshkollore. Janë plagasur 18 të tjerë, dhe dhuna nuk ndalet. Ajo duhet të jetë thuajse çdo natë biseda e parë me analistët e politikës, apo dhe drejtueset e emisioneve të tjera. Bëhet fjalë për të ardhmen. Dhe kjo nuk është e lehtë. Çdo vit dalin nga dyert e gjimnazeve, nxenës, djem dhe vajza plot. Ka prej tyre me mesataren 9.9 apo dhe 10, por sapo shkojnë në fakultete, mbushen me nota negative, ngelen në 10 apo 15 provime qysh vitin e parë. Dhe shumë prej tyre kthehen mbrapsht. Natyrisht futen në punëra të ndryshme, ku shumica përfundon në locale fast-foode, apo call-cernet.

Vetëm një pjesë e vogël e gjimnazisteve, ata që kanë mësuar sistematikisht për 3 vite, arrijnë të shkollohen në fakultete, të mbarojnë studimet e larta, dhe të punësohen. Ka mbi 2 dekada që sistemi arsimor çalon në disa drejtime. Çalon në mësimdhënie (pasi  nga universitetet tona dalin mësues që që blejnë provimet me para), çalon në edukim, pasi shumica e nxenesve kanë edukim gjysmak qysh nga familja. Çalon në strukturën drejtuese, pasi edhe pse funksionon portal “Mesues për Shqiperinë”, shpesh emerimet bëhen mbi baza politike dhe njohjesh personale. Padyshim kjo situate, edhe pse me interesimin maksimal nga Ministria ë Arsimit dhe Drejtoritë vendore të Arsimit, duket se kërkon nderhyrje rradikale.

Dhuna në shkolla nis nga cikli i ulët, dhe ai 9-vjeçar. Atje nuk ka ndëshkim nga drejtoritë e shkollave, plus që nga vendimet e shumta nga Ministria Arsimit në 25 vitet ë fundit, figura e mësuesit ka pësuar shvleresim të madh. Sot në shkolla, mësuesit kanë frikë, (dhe jo droje) ta qortojnë nxenesin, kanë frikë të raportojnë sjelljet e pahijshme në drejtoritë e shkollave, kanë frikë të kërkojnë ardhjen e prindit për nxenesin apo nxënësen që prish orën e mësimit, që bullizon dhe rreh shkokun apo shoqen. Pra, mësuesi sot është thjesht roje në klasë. Një pjesë e mire e mësuesve të rinj, kryesisht ajo e dekadave të fundit, kanë mangësi të theksuara në formimin e tyre profesional. Pikërisht, ky është  burimi i problemeve që po akumulon shkolla sot.

Dhuna një oborret e shkollave, nuk është thjesht sjellje rrugaçeske e nxenesve të caktuar, por ajo mbetet këmbana e alarmit që çdo qytetar, gazetar, intelektual, drejtues shkolle apo zyrtar i Ministrisë Arsimit, duhet të lëshojë për ti thënë “NDAL” kësaj situate alarmante. Rojet e sigurisë në shkolla, janë totalisht jashtë standardit, pasi ata nuk arrijnë kurrë të kryejnë detyrën duke mos patur kompetencat e duhura dhe autoritetin e duhur. Para se të merremi me Saliun apo me Mulin, Gazin , Gridën dhe Salianjin , le të merremi me të ardhmen e fëmijëve tanë, me sigurinë në shkolla. Para se të mbushim ekranet dhe studiot me “ekspertët”  dhe “parashikuesit” e fatit politik të Saliut, Ballukut apo Veliajt, le të merremi me brezin e ri, për ti siguruar  Shqipërisë vazhdimësinë e qëndrueshme sociale, dhe për të mos toleruar më humbje jete në oborret e shkollave tona.

Back to top button