“E ftova të vizitojë Kosovën”- Osmani takim me Papa Leonin në Selinë e Shenjtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë. Osmani ka ndarë detaje nga takimi ndërsa e ka quajtur një nder të veçantë vizitën në Vatikan. Osmani gjithashtu theksoi se ka ftuat Papën që të vizitojë Kosovën. 

“Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla po ashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë”, shkruan Osmani. 

Presidentja tha se me Papën bisedoi për rolin e Kosovës, thellimin e bashkëpunimit dhe kërkesën që Selia e Shenjtë të njohë pavarësinë e vendit. 

“Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës,” shton ajo. 

Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë historike. 

“Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, përfundon ajo. 

Back to top button