“Gerin e kanë rrëmbyer”, babai i biznesmenit pa gjithçka, vëllai shkoi me USB në dorë në Polici dhe SPAK! Prokurorët e dinin që në 12 Gusht për pengmarrjen, por pse nuk e ndoqën Gerond Meçen?!

Goditja e grupit kriminal në AKSHI ka nxjerr në pah një skandal të përmasave të mëdha, ku inkriminohen zyrtarët më të lartë të shtetit, drejtues institucionesh strategjike, shefa Policie, biznesmenë dhe eksponentë të lartë të krimit të organizuar.
Kjo provohet edhe në rastin e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe, pronar i kompanisë “ABS”, i cili është rrëmbyer përpara pallatit ku banon nga kriminelë të veshur me uniforma të Policisë dhe makinë me fenelina, si ato të Policisë.
Babai i biznesmenit rezulton se ka parë gjithçka, paraditen e 12 Gushtit 2025 dhe menjëherë ka njoftuar bashkëshorten e tij dhe gruan e Gerondit, raporton newsbomb.al.
“Gerin më duket e kanë rrëmbyer” ka thënë ai dhe menjëherë bashkëshortja ka nisur të telefononte pa pushim në celularin e Gerond Meçes. Gjithashtu, prindërit kanë njoftuar dhe djalin tjetër, vëllain e Gerondit dhe ai ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë para pallatit.
Aty është fiksuar gjithë momenti i rrëmbimit dhe menjëherë ai ka shkuar në të gjitha Komisariatet e Tiranës dhe në Prokurorinë e Posaçme, ku ka pyetur se nëse vëllai i tij biznesmen ishte shoqëruar apo arrestuar.
Siç specifikohet dhe në dosje, ai nuk ka marrë asnjë informacion në lidhje me fatin e vëllait dhe menjëherë ka dyshuar se Gerond Meçe ishte rrëmbyer.
Pikëpyetje ngre fakti se përse Prokuroria e Posaçme nuk ka vepruar për të pyetur biznesmenin Gerond Meçe, prej datës 12 Gusht 2025 kur ka ndodhur rrëmbimi dhe deri më datë 22 Shtator 2025, kur ai është paraqitur në SPAK për të dhënë deklarim, raporton newsbomb.al.
Deri në momentin e rrëmbimit, Gerond Meçe ishte një ndër biznesmenët e përfolur për tenderat në Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, dhe pavarësisht se vëllai i tij kishte shkuar në Polici e në SPAK me “USB” e kamerave në dorë, sërish është vepruar më shumë se një muaj më pas për marrjen e deklarimeve të tij dhe pesë muaj më pas për goditjen e grupit.
Nuk është e qartë nëse SPAK ka kryer veprime hetimore në heshtje, apo nuk ka vepruar për të marrë në pyetje Gerond Meçen për ngjarjen e 12 Gushtit 2025, në kushtet kur familja nuk kishte bërë kallëzim për rrëmbim.
© Newsbomb.al
)