“Gjoba 90 milionë euro po fshihet!” Si shteti dështoi t’ia marrë Bankers paratë, deputetët e miratuan (SKEMA)

Gazetarja Ola Xama, ka shpjeguar se si Bankers Petroleum po shmang pagesën e 120 milionë euro, falë veprimeve institucionale dhe ligjit të fundit për faljen e detyrimeve tatimore e doganore.

Sipas saj, kompania përfitoi nga skema të përdorimit dhe tregtimit të një karburanti me cilësi të ulët gjatë viteve 2011–2013, pa paguar akcizë, çka dyshohet se dëmtoi automjetet dhe favorizoi kompani të tjera të tregut të karburanteve. Megjithëse autoritetet shqiptare i vendosën më vonë Bankers një detyrim prej rreth 120 milionë eurosh, përfshirë penalitete, ekzekutimi i gjobës u pezullua disa herë me vendime administrative dhe procese gjyqësore.

“Ka qenë viti 2011-2012 dhe 9 muaj të 2013, që nisi një skemë shumë e madhe e shpërndarjes së naftës pa cilësi dhe pa paguar taksën e akcizës, ose kontrabandë, që ndyrshe ishte holluesi, solari, dylienti, naftë e cilësisë më të dobët, që përdoret për nevoja teknologjike të shpimit të puseve, duke qenë se nafta nëntokë është e rëndë, ka nevojë për presion që të nxjerrë në sipërfaqje naftën që prodhon Bankers në Patos Marinzë”, tha Xama ndër të tjera në emisionin “Tëpaekspozuarit”.

Teksa më tej shtoi se pas fitimit përfundimtar të çështjes nga shteti në vitin 2022, nuk u ndërmorën hapa konkretë për arkëtimin, ndërsa së fundmi ligji për faljen e detyrimeve parashikon fshirjen e gjobës dhe pagesën e pjesshme të akcizës.

Nëse gjoba nuk ekzekutohet brenda afatit, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, Bankers pritet të përfitojë përfundimisht nga kjo amnisti fiskale.

“Në vitin 2022 shteti shqiptar humb në apel dhe e ankimon në Gjykatën e Lartë, e fiton çështjen, madje edhe në Kushtetuese. Nga viti 2022, askush nuk ka bërë asgjë, derisa SPAK shkoi në ministrinë e Financave, të sekuestronte praktikën. Kemi në shtator shkresë të Petrit Malaj, që i thotë doganave ekzekutoni gjobën. Bankers ka ankimuar sërish në gjykatë dhe thotë është parashkruar.

Parlamenti sapo ka kaluar një ligj për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore. Gjoba 90 milionë euro fshihet dhe pagesë përgjysmë e detyrimit, vetëm 15 mln euro të akcizës.

Praktikisht ka edhe një javë kohë, që nëse dega e doganave nuk arrin të ekzekutojë gjobën, nga 1 janari ligji ka hyrë në fuqi dhe Bankers fiton”, tha Xama.

Gjoba ndaj Bankers Petroleum:

Më 24 qershor 2019 qeveria shqiptare gjobiti kompaninë Bankers Petroleum me shifrën rekord 120 milionë euro për evazion të rëndë fiskal. Gjoba, e cila përbën dënimin më të madh financiar të vendosur ndonjëherë në Shqipëri ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Siç është bërë me dije dhe më herët gjatë viteve 2014-2018, kompania Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë, që përdorej në prodhimin e naftës bruto. Bëhej fjalë për akcizën e një karburanti gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdorej për të holluar naftën bruto.

Në vitin 2014 qeveria shqiptare vendosi ta taksojë solarin me akcizë pasi dyshonte se ky produkt edhe pse deklarohej si lëndë e pare për prodhimin e naftës ishte duke u shitur në treg duke krijuar kështu një skemë gjigande evazioni.

Por edhe ndryshimi i ligjit nuk arriti ta mbyllë plotësisht skemën e evazionit dhe shkak u bë një vendim i Gjykatës Administrative në dhjetor të 2014-ës, i cili shfuqizoi dy akte administrative të doganave për të vjelë akcizën nga bankers.

Ky vendim duket se çoroditi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për disa vite rresht edhe pse Ministria e Financave këmbëngulte për vjeljen e taksave.

Në fund të 2016-ës ish-ministri i Financave përmes një letre i kërkoi zyrtarisht ish-drejtorësh së doganave, Belinda Ikonomi të zbatonte ligjin dhe të vilte detyrimin e holluesit nga bankers, pasi vendimi i Gjykatës Administrative për një çështje konkrete nuk mund të bllokonte zbatimin e ligjit.

Po kështu edhe ministrja teknike e Partisë Demokratike, Helga Vukaj kërkoi po të njëjtën gjë në korrik të vitit 2017.

Përplasjet mes shtetit dhe kompanisë duket se I hapën rrugë një hetimi të hollësishëm në vitin 2017, i cili vazhdoi për gati dy vjet. Sipas këtij hetimi të kryer nga doganat, Bankers Petroleum kishte shmangur të paktën 30 milionë euro akcizë përmes solarit të prodhuar nga armo në rafinerinë e Ballshit.

Mbi këtë detyrim u zbatua edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro siç parashikon ligji i procedurave duke e çuar shumën totale që duhet të paguajë kompanie në 120 milionë euro.

Por menjëherë pas finalizimit të procesverbalit, Bankers Petroleum iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e cilësuar sanksionin “të paligjshëm”, me argumentin se kompania nuk kishte detyrim të paguante akcizë për holluesin.

Ministrja e Financave në atë kohë, Anila Denaj, urdhëroi pezullimin e përkohshëm të gjobës, me arsyetimin se çështja duhej analizuar nga Avokatura e Shtetit për të shmangur rrezikun e përplasjes në arbitrazh ndërkombëtar. Dogana e Fierit e zbaton menjëherë urdhrin, duke e ngrirë praktikën.

Vetëm dy muaj më parë, Dogana e Fierit vendosi papritur riaktivizimin e gjobës 120 milionë euro, pas afro një dekade pezullimi, një lëvizje që duket se ka rindezur edhe interesin e SPAK-ut për të verifikuar ligjshmërinë e procesit dhe përgjegjësitë institucionale gjatë gjithë kësaj periudhe. Por, mesa duket nëse Bankers nuk e shlyen këtë gjobë, atëhere ajo “do t’ia hedhë paq”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT