“Gjyqtarja Irena Gjoka shantazhohet nga SPAK”, avokati Cakrani: Ilir Meta nuk është njohur me dosjen!

Gjykata e Posaçme vendosi të shtyjë për në datën 22 Dhjetor seancën paraprake të dosjes “Meta” ndërsa avokati i Ilir Metës ka folur për mediat.

Kujtim Cakrani hodhi akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka duke thënë se kjo e fundit pranon të gjitha kërkesat e prokurorëve të posaçëm pasi ndihet e shantazhuar nga fakti që vetë është në hetim nga SPAK.

“Mungonte një prej avokatëve të palëve, të zonjës Kryemadhi, gjithashtu nga gjykata u lanë disa detyra që prokurorët duhet t’i informonin në ambientet e paraburgimit të gjithë fashikujt që ai kërkoi. Gjithashtu i kërkuam të saktësonin dhe akuzën dhe të na sillnin listën e provave.

Prokurorët nuk e kishin këtë detyrë, padyshim që ne kërkuam përsëri. Pati një tension sepse prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta, i cili ishte aty prezent dhe nuk ishte ky shkaktari për shtyrjen e seancës gjyqësore.

Pati një tension ndërmjet avokatëve, të paktën ndërmjet zotit Lima dhe unë me gjyqtaren Irena Gjoka, e cila e pranoi kërkesën, megjithëse ne nuk e vinim në dyshim që zonja Gjoka pranon çdo kërkesë të prokurorëve.

Zonja Gjoka është e shantazhueshme nga zotërinjtë prokurorë pasi po hetohet nga ata për çështjet e saj personale. Ajo vazhdon të mos i marrë parasysh dhe t’i injorojë kërkesat tona.”-tha Cakrani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT