“Hap derën”, shoferët e autobusëve tentojnë të futen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Vlorë: Dele jemi ne

Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Vlorës është shoqëruar me tensione, pas kërkesës së shoferëve të autobusëve të linjave urbane për të marrë pjesë në seancë.

Shoferët kërkuan të futeshin në sallën e mbledhjes për të ngritur shqetësimet e tyre, por u ndaluan nga efektivët e sigurisë. Ata kërkojnë një takim me nënkryetaren e bashkisë lidhur me problemin e konkurrencës së paligjshme, për të cilën kanë protestuar edhe ditën e djeshme.

Sipas tyre, përveç konkurrencës nga furgonët e palicencuar, një tjetër shqetësim lidhet me zhvendosjen e stacionit të autobusëve nga vendndodhja aktuale.

Shoferët theksojnë se stacioni i ri pritet të vendoset pranë institucionit të paraburgimit, një zonë e largët për qytetarët, gjë që sipas tyre do të ulë ndjeshëm numrin e udhëtarëve.

Gjatë përpjekjeve për të hyrë në mbledhje, disa prej shoferëve tentuan të futeshin me forcë, ndërsa janë dëgjuar duke u shprehur: “Hap derën! Çfarë jemi ne, dele që nuk na hapni derën?”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT