Ilir Meta “çelësi” për të zgjidhur 21 Janarin? Zv.kryeministri i kohës rrëfehet përballë hetuesve të BKH-së: Amerikanët e dinin që do vriteshin njerëz

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përfunduar dëshminë e tij pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për ngjarje ne përgjakshme të 21 Janarit 2011, ku gjatë protestës së opozitës së kohës u vranë katër qytetarë.

Meta, i cili në janar të 2011 mbante postin e zv.kryeministrit, u mor në pyetje nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të caktuar nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu.

Burime për mediat bëjnë me dije se dëshmia e tij është fokusuar në informacionet institucionale që Meta dispononte sa i përket asaj dite, si dhe për mënyrën se si u menaxhua situata nga strukturat shtetërore.

Sipas informacioneve të siguruara deri më tani, kreu i Partisë së Lirisë mësohet të ketë thënë se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm të organizuar nga Edi Rama, për të pasur viktima.

Vetë Meta kishte kërkuar të paraqitej në SPAK për të dhënë shpjegime, duke deklaruar se për shkak të funksioneve të larta shtetërore që ka mbajtur ndër vite, disponon informacione që mund t’i shërbejnë zbardhjes së plotë të ngjarjes.

Hetimi për 21 Janarin ka përfshirë edhe marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, si dhe zyrtarëve të tjerë të niveleve të larta. Më 21 janar, 15 vite më parë, gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u vranë protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Ngjarja, e cila për vite me radhë u trajtua nga sistemi i vjetër i drejtësisë si “vrasje nga pakujdesia”, po hetohet tashmë nga SPAK si krim shtetëror. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, urdhëroi rihapjen e hetimeve dhe kërkoi zbardhjen e përgjegjësive të drejtuesve më të lartë shtetërorë të asaj kohe, përfshirë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Në korrik të vitit 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre vepra penale të rënda: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim i zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Lidhur me këtë dosje, në pyetje është marrë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një deklaratë për mediat, pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha tha se është pyetur për rreth dy orë nga prokurori i posaçëm Alfred Shehu dhe theksoi se ka respektuar ligjin, duke mohuar kategorikisht se ka dhënë ndonjëherë urdhër për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

I pyetur nga gazetarët sa i përket autdiopërgjimit të depozituar nga familjarët e Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë më 21 Janar, ish-kryeministri pretendoi se ajo është e manipuluar dhe se fakti që është dorëzuar pas një periudhë kohe relativisht të gjatë vë në dyshim autencitetin e saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT