Ilir Meta kallëzon në SPAK drejtorin e burgjeve: Më është ndaluar ping-pongu, takimet me anëtarët në qeli dhe komunikimi me mediat

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka depozituar një kallëzim në SPAK, kundër Klevis Qoses si drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, duke pretenduar se autoritetet e paraburgimit në Tiranë, i kanë ndaluar arbitrarisht aktivitetet sportive, takimet me anëtarësinë dhe deputetët, si dhe komunikimin me mediat.

Në shkresën dërguar Prokurorisë së Posaçme, thuhet se Klevis Qose ka shpërdoruar detyrën në disa raste, me veprimet apo mosveprimet e tij, duke i cënuar të drejtat dhe liritë Ilir Metës.

“Autoritetet e këtij institucioni kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve sportive, takimet me anëtarët e kryesisë së Partisë së Lirisë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetëve, takime apo komunikime me mediat, si dhe ndalimin e përdorimit të çdo forme argëtimi”, thuhet në dokument.

Është tashmë e ditur se aktiviteti i preferuar i Ilir Metës në qeli është ping-pongu, të cilin ia ndaluan muaj më parë kur dha një intervistë të paautorizuar për gazetaren Beti Njuma.

Për të provuar faktin penal, politikani i majtë bashkëngjitur kërkesës ka dërguar edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit, për trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim. Sipas tij, pavarësisht rekomandimeve, është vijuar me të njëjtën sjellje persekutuese.

Ish-presidenti e akuzon kreun e Burgjeve për shpërdorim detyre si dhe për vepra të tjera penale që mund të dalin gjatë hetimit.

“Pra ndaj politikanit, presidentit të Partisë së Lirisë, është përdorur persekutimi politik, por jo vetëm; atij i janë shkelur dhe mohuar liritë dhe të drejtat të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, gjithashtu edhe të drejtat e sanksionuara nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës”.

Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, pas ankesës së tij, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e ish-presidentit në qeli. Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet në përputhje me standardet e parashikuara nga ligji.

Ilir Meta kallëzon në SPAK drejtorin e burgjeve: Më

Kallezimi i depozituar nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Back to top button
LAJMET E FUNDIT