Jo vetëm Shqipëria, në Kosovë pacientët 2 vjet pritje për një koronarografi në spitalin publik

Dy ditë në javë, korridoret e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbushen me dhjetëra pacientë që presin një vendim mjekësor me rëndësi jetike për ta – nëse do t’u kryhet koronarografia apo do t’u vendoset stenti.
Përpara tyre është një komision i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, analizat dhe, kur është e nevojshme, kërkon ekzaminime shtesë, para se pacientët të përfshihen në listat e pritjes.
Koronarografia shërben për të identifikuar ngushtimet ose bllokimet në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, ndërsa stenti është një tub i vogël metalik që vendoset për të mbajtur arteriet e hapura dhe për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.
Sipas stafit të Klinikës së Kardiologjisë, aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë që presin për këto shërbime, përfshirë edhe raste të regjistruara në muajt e parë të vitit 2024, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Një nga arsyet kryesore të këtij grumbullimi, sipas mjekëve dhe infermierëve me të cilët bisedoi REL-i, është mosfunksionimi i disa aparaturave për së paku dy muaj gjatë këtij viti.
Ngarkesën e ka shtuar edhe fluksi i madh i pacientëve nga komunat e Kosovës, përfshirë ato ku më herët janë kryer ekzaminime të tilla, si dhe numri i madh i referimeve nga klinikat e tjera brenda QKUK-së.
Stafi, megjithatë, siguron se rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk mbeten në listat e pritjes.