Joni Keta shpërblen rivalin e tij, ish-kandidati për kreun e BKH-së emërohet Shef i Sektorit të Hetimit Financiar (EMRI)

Elton Kërluku është emëruar Shef i Sektorit të Hetimit Financiar në Byronë Kombëtare të Hetimit, pavarësisht se më herët ishte pjesë e garës për drejtimin e këtij institucioni, i njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”.
Kërluku ishte një nga kandidatët që synuan postin e kreut të BKH-së, por mandati 5-vjeçar iu besua Jonit Ketës. Pas përfundimit të kësaj gare, Kërluku ka marrë tashmë një rol drejtues brenda strukturës, duke u emëruar shef sektori.
Gjatë procesit për përzgjedhjen e drejtuesit të BKH-së, Kërluku u skualifikua nga gara. Vendimi u mor pas një shkrese të gjyqtarit Gerd Hoxha, drejtuar institucioneve të drejtësisë, ku argumentohej se Kërluku rezultonte i dënuar dhe se ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2004 për shkelje të rënda disiplinore dhe etike. Sipas Hoxhës, ky vendim ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Në shkresë theksohej gjithashtu se pas rikthimit në sistemin e drejtësisë, Kërluku ka shërbyer si hetues financiar pranë Prokurorisë së Posaçme. Po ashtu, ai ka qenë pjesë e komisionit që në vitin 2024 përjashtoi vetë gjyqtarin Gerd Hoxha nga gara për një pozicion në Gjykatën e Posaçme.
Sipas Hoxhës, ky zhvillim përbënte një “rast flagrant të dy standardeve”, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret e ndjekura në proceset e përzgjedhjes dhe emërimit në institucionet e drejtësisë.
Elton Kërluku ka qenë ish-drejtues Policie dhe shefi i sektorit të Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme. Pesë vite më parë, Elton Kërluku ka kaluar me sukses garën për të qenë pjesë e FBI-së shqiptare, si Hetues Financiar. Nga më shumë se 600 aplikantë, ai është shpallur në listën e 55 personave të kualifikuar për Oficer në pozicionin Hetues Financiar, dhe më pas dhe fitues./newsbomb.al