“Keni 30 vite si kryetar i PD-së”, Sali Berisha i habit të gjithë me përgjigjen për gazetarin: Jam modeli i dorëheqjes në Shqipëri
Gjatë një konference nga selia e PD-së, kryedemokrati Sali Berisha është pyetur sërish mbi lëvizjet e brendshme në PD, ku janë zhvilluar disa takime jashtë strukturave mes anëtarëve të kësaj force politike.
Berisha tha se edhe ai vetë ka luftuar jashtë strukturave në vitin 2021, pasi kreu i demokratëve në atë kohë Lulzim Basha, kishte tradhtuar kauzën e tyre. Kryedemokrati tha se diçka të tillë e bëri për të shpëtuar Partinë Demokratike.
“E bëra brenda strukturave për faktin se kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e demokratëve. E bëra për të shpëtuar PD nga kontrolli mafioz i Edi Ramës dhe sorosianëve. E bëra se Rama i kishte hapur dy procese Lulzim Bashës, njëra për “Toyota Yaris dhe tjetrën për Nik Muzin. E bëra për të shpëtuar forcën kryesore politike të opozitës”, tha Berisha.
Ndërsa i pyetur sërish se lëvizjet në PD po bëhen për të shpëtuar këtë forcë politike, Berisha tha se ai është model i dorëheqjes në Shqipëri.
“Jo nuk kam 30 vite. Unë jam modeli i dorëheqjes në Shqipëri. Kam dhënë dorëheqje si President i Republikës, kam dhënë dorëheqje si kryetar partie dhe kam dhënë dorëheqje si kryeministër i vendit. Nuk është ashtu. Unë serish po luftoj në një pozicion, në kushte shumë të vështira”, u shpreh kryedemokrati.