Kiri dhe Azemi në radhën e parë te busti i të atit, Sali Berisha u flet dhjetoristëve: Sot, pas 35 vitesh Edi Rama ka rikthyer diktaturën!

Lideri demokrat Sali Berisha është duke folur para dhjetoristëve të lëvizjes së 1990 dhe qytetarëve që janë mbledhur në Qytetin Studenti, ku nisi kryengritja e studentëve 35 vite me parë, duke nderuar figurën e Azem Hajdarit dhe të tjerëve.
Në radhën e parë të të pranishmëve, para bustit të të atit, qëndrojnë dy djemtë e tij Kiri dhe Azem Hajdari Junior. Të pranishëm janë edhe deputetët e kësaj force politike, si dhe të rinjtë dhe të reja e forumit rinor.
Në fjalën e tij, Sali Berisha nderoi lëvizjen e Dhjetorit ’90, duke u shprehur se studentët nisën një revolucion historik që i i imponoi regjimit vendosjen e pluralizimit politik dhe krijimin e partisë së parë politike, Partisë Demokratike.
“Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do të mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar: Azem ti je gjallë. Sot, pas 35 vitesh, qytetarët shqiptarë kujtojnë dhe nderojnë këtë ditë pasi Edi Rama, ka vendosur diktaturën autoritare dhe narkoshtetin e vetëm në Europë.
Ai ka zëvendësuar zgjedhjet e lira, me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Instaloi regjimin më kleptokratik që shqiptarët kanë njohur në ekzistencën e tyre.
Ai sot, është i pari kryeministër në historinë e Europës, që mbron publikisht vjedhjen e tij dhe të ministrave. Vjen si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Në 10 vite të narkoregjimit të tij, me politikat e tij përzuri 60% të të rinjve shqiptarë”, u shpreh Sali Berisha.
Lideri demokrat theksoi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, duke u shprehur se vetëm Gjenerata Z mund të përmbysë regjimin, siç e quajti ai qeverisjen e Edi Ramës.