“Lepurusha para regjimit, tigra para demokratëve!” Salianji “i përgjigjet” mesazhit të PD gjatë takimit në Shkodër: Presionin nuk e njoh! “Kolltukofagët” nuk duan ti shohin sallat plotë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka zhvilluar një takim ditën e sotme me demokratët në Shkodër gjatë të cilit ka bërë edhe një reagim ndaj mesazhit të shpërndarë ditën e sotme nga zyrat e PD-së, që u bënte thirrje anëtarëve të mos merrnin pjesë në këtë takim, me pretendimin se ai ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci.
Ai gjatë fjalës së tij u shpreh se drejtues të PD janë duke u përpjekur të ushtrojnë presion dhe të pengojnë mbledgjen e demokratëve të pakënaqur.
“Rrogëtarët e PD nuk ju njohin dhe nuk duan t’i shohin sallat plot, që nuk mbushen prej nesh apo prej meje, por prej pakënaqësisë që ka çdo demokrat,”tha ai teksa shtoi se sakrifica e kontributi i anëtarëve të partisë është duke u shpërfillur, teksa rregullat e statutit “janë hedhur në plehra”.
Salianji kritikoi ashpër atë që e quajti sjellje të “kolltukofagëve”, të cilët, sipas tij, janë të fiksuar pas karriges dhe mendojnë se mund të ushtrojnë presion përmes deklaratave publike. “Mendojnë se na bëjnë presion duke thënë çudira në publik, por e kanë gabim,” deklaroi ai.
Ndërkohë më tej ai theksoi se nuk i nënshtrohet presionit, “Presionin nuk e njoh. Nuk më bëjnë dot presion as njerëz më të rëndësishëm se këta. Nuk më bëri presion as Rama në burg, ku më vendosi regjimi,” tha ai.
Salianji u ndal edhe te disa figurta të PD, teksa sipas tij ata tregohen të butë para qeverisë teksa shfaqen të fortë përballë demnokratëve: “Shumica që sillen si lepurusha para regjimit dhe para demokratëve duan të duken si tigra, por e kanë gabim”
Në fund ai ritheksoi edhe jëherë se forca politike dhe morale, nbuk vijnë nga rroga apo privilegjet por nga përballja, qëndresa, sakrifica dhe dëgjimi i zërit të demokratëve.