Lista Serbe nuk u certifikua për zgjedhje, Amerika “shigjeton” Albin Kurtin: Përpjekje dritëshkurtra dhe përçarëse!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, dënon ashpër moscertifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 Dhjetorit, duke “shënjestruar” partinë e Albin Kurtit.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.
Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Kosovë.
Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, për të garuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor. Anëtarët e KQZ-së vendosën me 2 vota PRO, ndërsa 2 vota Kundër erdhën nga LVV dhe pjesa tjetër abstenuan.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi gjatë mbledhjes tha se vota kundër për Listën Serbe shkon për faktin që nënkryetari i saj ka qenë organizator i drejtpërdrejtë i sulmit të Banjskës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e certifikoi Listën Serbe, por Komisioni Rregullator (PZAP) e urdhëroi KQZ që të ndryshonte vendimin dhe të certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.