Meta 3000 telefonata e 170 takime në 10 muaj në qeli! “Të vetët” të shqetësuar: Gjetjet janë tronditëse

Një raport i Avokatit të Popullit ka konstatuar shkelje në trajtimin e Ilir Metës në IEPV “Jordan Misja”, duke kërkuar reflektim të menjëhershëm nga Drejtoria e Burgjeve. Sipas raportit, gjatë periudhës së monitorimit janë evidentuar mbi 3000 telefonata të kryera dhe më shumë se 170 takime nga qelia, duke e kufizuar kështu presidentin e Partisë së Lirisë.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson raportin si konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga forca e saj politike. Ajo thekson se dokumenti i Avokatit të Popullit ngre probleme serioze lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të kuadrit ligjor në fuqi.

Sipas deputetes, raporti evidenton kufizime të tepruara në të drejtat e takimeve familjare dhe ato politike, vonesa apo refuzime të vizitave nga deputetë dhe eurodeputetë, si dhe pengesa në komunikimin me median.

“Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti per shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në “Jordan Misja”, ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.

I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë”, shkruan Xhixho.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:

Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti per shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në “Jordan Misja”, ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.

I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë.

Gjetjet kryesore të raportit janë tronditëse:

Avokati i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj si minimumi i parashikuar në ligj duke e kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik, përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë failjare dhe të së drejtës për t’u organizuar politikisht.

Ndalimi i padrejtë i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, duke kërkuar autorizime që ligji nuk i parashikon – një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e standardeve ndërkombëtare.

Parashikimi në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, shpreh qartë faktin se deputetët mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.

Kufizimi i komunikimit politik dhe pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë, pa asnjë bazë ligjore por vetëm zbatim i urdhrit politik të Edi Ramës.

Ndërhyrja dhe bllokimi i komunikimit me median, një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe transparencës.

Raporti i Avokatit të Popullit thote qartë se të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave, edhe për shkak  të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Të gjitha këto janë praktikë e një shteti represiv, që përdor burgjet dhe institucionet e drejtësisë si instrument politik për të ndërtuar një regjim arbitrar dhe policor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT