Mijëra euro “topa-topa” në shtëpitë e Rrajave, Policia nxjerr VIDEON e operacionit me SPAK: Djali i ish-deputetit të PS çonte kokainë nga Shqipëria në Gjermani

Dhjetë persona janë arrestuar nga agjentët e Policisë Kriminale, pas një operacioni të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, kryesisht anëtarë të familjes Rraja në Fushë Krujë dhe të afërm të tyre, të cilët kishin krijuar një grup kriminal.

Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera në pronësi të 10 shtetasve. Siç shihet dhe nga pamjet, janë sekuestruar 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 415 000 euro, 7 000 paund dhe 1 000 000 lekë.

“Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, dyshohet se këta shtetas, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre dhe me të tjerë, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në shtete të BE-së, kryesisht në Gjermani”, thotë Policia.

Veç parave të kapura cash në shtëpitë e të arrestuarve, dyshohet se pjesa më e madhe e parave të përfituara nga kjo veprimtari, janë investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Mes të arrestuarve, janë djali dhe nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste të Krujës për disa mandate, Rrahman Rraja. Familja dhe të afërmit e tij janë përfshirë shpesh në aktivitete të paligjshme dhe kanë qenë objekt i punës së organeve ligjzbatuese dhe mediave.

Mijëra euro

Rexhep Rraja dhe i ati, Rrahman Rraja

Në kuadër të operacionit “Rikthimi”, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, për shtetasit:

Rexhep Rraja, 31 vjeç, banues në fshatin Zezë, Fushë Krujë;

Përparim Rraja, 50 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;

Gazmir Rraja, 35 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;

Agim Nina alias Lorenc Selmani, 51 vjeç, banues në Durrës;

Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, 47 vjeç, banues në Paskuqan;

Sokol Qaja, 41 vjeç, banues në Tiranë;

Marvin Bushati alias Marvin Kopliku, 43 vjeç, banues në Tiranë;

Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, 35 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);

Jani Çavo, 50 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);

Islam Sefa alias Islam Xaka, 40 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP).

Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Durrës dhe Kukës, me Forcën e Sigurisë Kombëtare Tiranë dhe me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT