Mjeku Altin Veshti: Kush është faktori kryesor që shkakton arrestin kardiak tek moshat e reja! Brataj: Çdo vit duhen bërë kontrolle
Mjeku Altin Veshti ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin “Top Story” ku foli për arrestet kardiake të cilat po prekin masivisht moshat e reja. Mjeku Veshti theksoi se një nga faktorët që ndikon është stresi. Ajo çka mbetet shqetësuese sipas tij, është niveli më i lartë i stresit në vendin tonë se në vendet e tjera.
“Stresi është term i përgjithshëm që nis nga momenti që del nga shtëpia. Stresi mund të shkaktojë ulçër në stomak pa pasur fare probleme me stomakun.
Në Shqipëri stresi është shumë më i lartë se në Perëndim. Stresin e vendos si faktorin më të rëndësishëm, pastaj pirja e cigares, diabeti, jeta sedentare, stimulantët.
Minimalisht duhet të bëhet palestër ose ecje, tre herë në javë. Palestra i mbledh të gjitha. Por dhe në këtë rast duhet kontroll dhe mirë është që çdo njeri çdo vit duhet të bëhet një EKO dhe një EKG.”-u shpreh ai.
Ndërsa kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se për arrestin kardiak tek të rinjtë shkaktar janë lodhja, stresi, pagjumësia, qëndrimi për orë të gjata natën në video-lojëra, etj.
“Po ashtu edhe sëmundje të trashëguara. Çdo vdekje e papritur në një familje, duhet të gjithë anëtarët të bëjnë një kontroll për të parë nëse e kanë apo jo këtë faktor.”-tha kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.