Nën proces gjyqësor me bashkëaksionerin, Gjykata e Tiranës shpall në kërkim pronarin e Megatek, Dionis Teqja

Dionis Teqja, pronari i disa kompanive të rëndësishme në vendin tonë, si Megatek, prej tre javësh është shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës.

Sipas “Weblajm”, shkak për shpalljen në kërkim të biznesmenit është bërë mosgjetja e tij për të firmosur fletëthirrjen ndaj tij.

Teqja aktualisht është në një proces gjyqësor me disa aksionerë të tjerë dhe mosparaqitja e tij në seancë dhe pamundësia e njoftimit me postë e kanë detyruar Gjykatën e Tiranës të bëjë shpallje publike.

Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Rrethi Tiranë, është duke u zhvilluar gjykimi i çështjes civile me nr. 1234, datë 10.12.2025, akti që i përket:

Paditës: Thanas Hyseni

Të paditur: Ferdinand Haxhiaj, Dionis Teqja, shoqëria ‘RADMAIL’ sh.p.k., shoqëria T.N.T Express Albania sh.p.k.

Palë e tretë: Qendra Kombëtare e Biznesit

Objekti: Pavlefshmëri vendimi asambleje + sigurim padie

Gjykata ka vendosur që, në bazë të nenit 133 të K.Pr.Civile, njoftimi i palës së paditur Dionis Teqja të bëhet me anë të shpalljes publike.

 Një kopje e kësaj shpalljeje të afishohet në Njësinë nr. 5, Tiranë.”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndërsa mësohet se Teqja është paditur nga një prej ortakëve të tij në kompaninë postare TNT.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT